Pesëvjetori i MAPL-së
Në shënim të 5 vjetorit të themelimit të MAPL-së u organizua tryeza profesionale "Përvojat e Vetëqeverisjes Lokale në Kosovë dhe Perspektivat e Saj"
21 dhjetor 2010
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, me rastin e pesë vjetorit të themelimit të saj, organizoi tryezën profesionale me temën “Përvojat e Vetëqeverisjes Lokale në Kosovë dhe Perspektiva e Saj ”.
Të pranishmit në këtë tryezë i përshëndeti zëvendëskryeministri në largim, Hajredin Kuçi dhe njëkohësisht përgëzoi dy ish ministrat e MAPL-së, për gjithë punën që kanë bërë në këtë ministri dhe përfaqësuesit tjerë të kësaj ministrie.
Me këtë rast, Raif Elezi, zëvendësministër në dorëheqje, tha se procesi i decentralizmit ka qenë proces shumë me rëndësi dhe kompleks për Qeverinë e Republikës së Kosovës.
"Sot kur bëjmë një rezyme të punës, ne kemi legjislacionin e ri modern në pajtim me standardet ndërkombëtare, 8 komuna të reja të themeluara dhe të funksionalizuara, sistem të ri zgjedhor komunal, një numër të madh të kompetencave të bartura dhe një sistem të qëndrueshëm të financimit të komunave. Kemi ndërtuar një partneritet të qëndrueshëm me komunitetin ndërkombëtar dhe të donatorëve. Me këtë partneritet ne po thithim miliona investime për institucionet komunale dhe po marrim ekspertizë të mirë teknike për modernizimin e administratës lokale dhe për shërbime sa më të mirë për qytetarët", u shpreh zëvendësministri, Raif Elezi.
Ndërkaq, Bajrush Xhemajli, kryetar i Asociacionit të Komunave, përmendi bashkëpunimin e mirë mes AKK dhe MAPL-së duke thënë se:
"Pushteti lokal çdo ditë e më shumë qeverisë përpara dhe ka sfida të cilat vetëm falë një bashkëpunimi të mirë janë tejkaluar"- theksoi z. Xhemajli.
Përfaqësuesi i shoqërisë civile Leon Malazogu, duke përmendur sfidat dhe të arriturat e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, theksoi se kjo ministri mund të krenohet dhe si fakte dhe dëshmi ka raportet e punës, që janë raporte të punës me plot kuptimin e fjlalës dhe jo fotoalbume. Raportet e ministrisë kanë një vizion që tregojnë një plan të punës shumë të qartë.
Duke theksuar se Ministria e Administrimi të Pushtetit Lokal ka pasur punën më të rëndë dhe më të popullarizuar në Kosovë, në këtë qeveri. Z. Malazogu u shpreh:
"Kjo ministri ka treguar një lider shqip të vërtetë se lidershipi nuk vërehet vetëm aty kur shteti e bën atë që e presin qytetarët, por nganjëherë edhe aty kur qytetarët mendojnë se diçka është gabim, por kur vazhdohet me ritëm të punës duke besuar se fundi do ta justifikojë edhe atë periudhë të vështirë e mendoj se edhe sot të gjithë po e konkludojmë pikërisht këtë. Kishte momente kur dyshohej, kishte momente kur mungoi përkrahja politike, gjithashtu kur edhe të gjitha instancat u tërhoqën dhe kjo ministri vazhdoi punën, dhe kështu raporti i progresit për dy vite me radhë e nxjerri pushtetin lokal si punën më të suksesshme duke marrë notën më të mirë" theksoi z. Malazogu.
Një prezantim të punës 5 vjeçare të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal e bëri edhe sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, Besnik Osmani. Ai përmendi në veçanti të arriturat e ministrisë dhe sfidat që e presin në të ardhmen.
"Duke u nisur qysh nga Raporti i Këshillit të Sigurimit të vitit 2006, që shpjegon më së miri përfundimin me sukses të plotësimit të standardeve për Kosovësn, dhe kur është në pyetje Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal edhe raporti i progresit i viti 2008, 2009, dhe tash edhe raporti i fundi i viti 2010, nënvizon në mënyrë të qartë dhe eksplicite progresin e disa nga të arriturat që ka bërë qeveria e Kosovës dhe që më së miri i atribuohen Ministrisë së Administrimit të Pushtetitl Lokal" – u shpreh sekretari i përgjithshëm, Besnik Osmani.
Shënimi i 5 vjetorit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit lokal vazhdoi edhe në orët e mbrëmjes në Muzeun e Kosovës, ku pjesëmarrësit patën rastin të shohin dokumentarin për arritjet dhe sfidat e Ministrisë gjatë këtyre pesë vjetëve. Po ashtu u hap edhe ekspozita e fotografive si dhe u ndanë mirënjohje për të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me këtë ministri.