Adresa Ish ndërtesa e Rilindjes Katet: 10, 11, 12 dhe 13 Prishtinë, Republika e Kosovës; tel: +383(0)200 35585 ; 35598; 35577
e-mail: info.mapl@rks-gov.net
  • 07 korrik 2017

    MAPL dhe OSBE mbajnë punëtorinë për “Mësimet e nxjerra për qeveritë e ardhshme lokale”

    MAPL dhe OSBE mbajnë punëtorinë për “Mësimet e nxjerra për qeveritë e ardhshme lokale” 6 korrik 2017, Prishtinë

    Sot, datë 6 Korrik 2017, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me misionin e OSBE-së në Kosovë, organizuan punëtorinë një ditore me temë “Mësimet e nxjerra për qeveritë e ardhshme lokale – përvojat nga kryetarët, përfaqësuesit e zgjedhur, shoqëria civile dhe komuniteti i biznesit”. Punëtoria është moderuar nga z. Visar Sutaj, ndërkaq qëllimi i punëtorisë në fokus kishte: shkëmbimin e mësimeve të nxjerra, ideve dhe zgjidhjeve për të tejkaluar problemet, nxjerrjen në pah të praktikave më të mira të qeverisjes së mirë në nivel lokal, si dhe shqyrtimin e mundësive  për përmirësime të përbashkëta.

    Sekretarja e Përgjithshme znj. Rozafa Ukimeraj, theksoi se sot e kemi mundësinë e hapur për të diskutuar për të gjitha sukseset, progresin, sfidat, vështirësitë dhe gabimet me qëllim që të gjitha këto çështje të ndikojnë në zhvillimin dhe avancimin e vetëqeverisjes lokale. Përmes këtij dialogu synojmë që nga këndvështrimi institucional, këndvështrimi i shoqërisë civile, medias, bizneseve dhe donatorëve, të kontribuojmë në ndërtimin e një sistemi efikas, që funksionon në çfarëdo rrethane, pavarësisht ndryshimeve që mund të ndodhin, sa i përket përfaqësimit politik dhe institucional.

    z. Christopher Tuetsch nga misioni i OSBE-së në Kosovë dhe kryetari i komunës së Junikut z. Agron Kuqi, vlerësuan idenë dhe iniciativën për formatin e punëtorisë me qëllim që diskutimi i arritur nga të gjithë akterët të shërbejë në drejtim të interesit të përgjithshëm të vendit.

    Në pjesë e dytë të punëtorisë, pesë grupet e brendshme, si: grupi për transparencë dhe pjesëmarrja të qytetarëve  në procesin e vendimmarrjes, grupi për zhvillim ekonomik lokal, grupi për menaxhimin lokal financiar, grupi për efikasitetin e administratës lokale dhe ofrimin e shërbimeve, si dhe grupi për pajtueshmërinë e vendimeve të komunës, kanë diskutuar për sfidat dhe mësimet e nxjerra në gjendjen aktuale të qeverisjes.

    Grupet në përbërje të pjesëmarrësve nga qeveria, komunat, shoqëria civile, mediat dhe komuniteti i biznesit, prezantuan mësimet e nxjerra, duke u bazuar në sfidat e identifikuara, progresin e arritur dhe rekomandimet.

    Në fund, rezultatet e takimit do të publikohen nga MAPL me qëllim të shkëmbimit të mësimeve të nxjerra mbi praktikat e mira dhe si bazë për qeveritë e ardhshme.