Adresa Ish ndërtesa e Rilindjes Katet: 11, 12 dhe 13 Prishtinë, Republika e Kosovës; tel: +383(0)200 35567 ; 35598; 35577
e-mail: info.mapl@rks-gov.net
  • 13 korrik 2017

    Mbahet takimi i parë i grupit punues për hartimin projekt Ligjit për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës

    Mbahet takimi i parë i grupit punues për hartimin projekt Ligjit për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës

    13 Korrik 2017


    Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), me datë 13 korrik 2017, ka mbajtur takimin e parë të grupit punues për hartimin e Projekt-ligjit për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga MAPL-ja dhe përfaqësuesit nga institucionet tjera, si: Zyra e Kryeministrit, Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Asociacioni i Komunave të Kosovës, Agjencia Kadastrale Kosovës, Agjencia  Kosovare e Privatizimit, Agjencia  Kosovës për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, si dhe përfaqësuesit nga USAID-i.
     

    Z. Shkëlqim Jakupi, Udhëheqës i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave në MAPL, në cilësinë e kryesuesit të grupit punues, theksoi rëndësinë e këtij ligji dhe ndikimin e tij në jetën publike të komunave, duke u fokusuar në rritjen e vlerës së pronës, zhvillimin ekonomik dhe zbatimin e politikave komunale në interes publik. Referencat e hartimit të këtij ligji janë definuar në koncept-dokumentin e miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës më datë 7 prill 2017. 
     
    Para grupit punues u prezantua opsioni i miratuar nga qeveria e vendit në kuadër të koncept dokumentit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës komunale, mbi bazën e së cilës u zhvillua një diskutim konstruktiv me anëtarët e grupit punues për secilën pikë të ngritur në këtë dokument, për çka njëzëri u pajtuan që projekt-ligji të hartohet në frymën e parimeve dhe objektivave të vendosur në këtë koncept dokument, si politika të miratuara nga qeveria. Po ashtu, grupi punues u pajtua që anëtarët e grupit nga MAPL-ja, të hartojnë një draft fillestar të Projekt-Ligjit për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës, i cili më pas do të diskutohet në takimet e radhës së grupit punues. Projekt ligji pritet të finalizohet në muajin tetor të vitit 2017.