Adresa Ish ndërtesa e Rilindjes Katet: 11, 12 dhe 13 Prishtinë, Republika e Kosovës; tel: +383(0)200 35567 ; 35598; 35577
e-mail: info.mapl@rks-gov.net
  • 15 maj 2017

    Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal shënon ngjarjen vjetore të publikimit të Raportit të Funksionimit të Komunave për vitin 2016

    Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal shënon ngjarjen vjetore të publikimit të Raportit të Funksionimit të Komunave për vitin 2016 15 maj 2017, Prishtinë

    Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me USAID/CDF kanë organizuar ngjarjen vjetore të publikimit të Raportit të Funksionimit të Komunave për vitin 2016 duke prezantuar të arriturat dhe sfidat e komunave përpara kryetarëve të komunave, kryesuesve të kuvendeve të komunave, përfaqësuesve të shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare dhe mediave.

    Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, znj. Rozafa Ukimeraj, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre, duke theksuar se “është obligim kushtetues dhe ligjor i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal përgatitja dhe publikimi vjetor i një raporti për funksionimin e komunave, në bazë të mandatit të mbikëqyrjes dhe monitorimit të organeve të qeverisjes lokale gjatë ushtrimit të aktiviteteve të tyre ekzekutive dhe legjislative. Andaj edhe ky raport, në njërën anë pasqyron të arriturat dhe sfidat e komunave, dhe në anën tjetër është përmbushje e obligimit ligjor t�� autoritetit mbikëqyrës të komunave”. Ndër të tjera, znj. Ukimeraj potencoi se “Avancimi i mëtejmë i qeverisjes lokale në Kosovë vazhdon të mbetet prioritet i Qeverisë së Kosovës, në kontekst të përmbushjes apo zbatimit të veprimeve të vendit, veçanërisht në raport me kërkesat prioritare të BE-së, kërkesa të cilat dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit e arritur ndërmjet Kosovës dhe BE-së në prillin e vitit të kaluar”. 

    Udhëheqësi i Divizionit për Koordinim të Politikave z. Diellor Gashi prezantoi Raportin e funksionimit të komunave për vitin 2016 duke nënvizuar aktivitetet e shënuara nga kuvendet e komunave në ushtrimin e veprimtarisë së tyre një vjeçare me theks të veçantë, procedurat e aprovimit të akteve komunale, bashkëpunimin me ekzekutivin, transparencën lokale, obligimet nga agjenda evropiane, menaxhimin e buxheteve komunale, si dhe rekomandimet e përgjithshme.

    Në kuadër të zhvillimit të diskutimeve ndërmjet palëve, kryetari i komunës së Vushtrrisë z. Bajram Mulaku, nënvizoi se duhet vazhduar punën me gjithë partnerët tanë duke bashkëpunuar në drejtim të avancimit të vetëqeverisje lokale. Ndërkaq, z. Sazan Ibrahimi, Drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës vlerësoi punën e funksionimit të komunave përgjatë vitit 2016, veçanërisht në vlerësimin pozitiv sa i përket transparencës në komuna, performancës buxhetore, si dhe bashkëpunimit të frytshëm në relacionin ndërmjet MAPL-së – AKK-së.

    Në fund të takimit, Sekretarja e Përgjithshme e MAPL-së znj. Ukimeraj falënderoi komunat, partnerët ndërkombëtar, shoqërinë civile dhe mediat  për bashkëpunimin e pa rezervë që kemi pasur gjatë vitit 2016 dhe që jemi duke vazhduar. Ky është rrugëtimi ynë i përbashkët dhe sfidues drejtë arritjes së sukseseve në interes të të gjitha palëve dhe qytetarëve. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në koherencë do të përkrah komunat në të gjitha fushat për të cilat ato kanë nevojë.