Adresa Ish ndërtesa e Rilindjes Katet: 11, 12 dhe 13 Prishtinë, Republika e Kosovës; tel: +383(0)200 35567 ; 35598; 35577
e-mail: info.mapl@rks-gov.net
  • 22 dhjetor 2017

    Shënohet ngjarja vjetore e fund vitit për të arriturat e vetëqeverisjes lokale në Kosovë gjatë vitit 2017

    Shënohet ngjarja vjetore e fund vitit për të arriturat e vetëqeverisjes lokale në Kosovë gjatë vitit 2017 21 Dhjetor 2017, Prishtinë

    Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në mbrëmjen e së enjtes, datë 21 Dhjetor 2017, ka shënuar ngjarjen vjetore të fund vitit për të shprehur mirënjohjen për bashkëpunimin me partnerët lidhur me të arriturat e vetëqeverisjes lokale në Kosovë përgjatë periudhës një vjeçare.

    Me këtë rast, Sekretarja e Përgjithshme e MAPL-së, znj. Rozafa Ukimeraj, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre në këtë ngjarje. Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Ramush Haradinaj vuri theks të veçantë se “qeverisja lokale në Kosovë apo më mirë të themi pushteti lokal është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve ”. Ndër të tjera, z. Haradinaj theksoi se “qeverisja lokale në Kosovë do të mbetet prioritet i Qeverisë së Kosovës edhe në vitin 2018 duke ofruar përkrahje të vazhdueshme dhe të nevojshme”. 

    Ministri i MAPL-së z. Ivan Todosijevic theksoi se “ MAPL ishte lider i zhvillimit të idesë dhe parimeve të vetëqeverisjes lokale dhe krijimit të strukturave vendimmarrëse e bashkëvepruese në nivelin lokal. Viti 2017 ishte një vit tejet i rëndësishëm për pushtetin lokal dhe zhvillimet e përgjithshme në vend. Qytetarët shprehën vullnetin e tyre në zgjedhjen e përfaqësuesve për drejtimin e institucioneve lokale, përmes të një procesi të ligjshëm dhe demokratik të zgjedhjeve lokale, duke krijuar legjitimitet të plotë tek bartësit e ardhshëm të pushtetit. Në këtë mes, MAPL ka punuar ngushtë me strukturat komunale për koordinimin e veprimeve në funksion të përmbushjes së obligimeve para dhe pas zgjedhjeve lokale”.

    Po ashtu, Ministri Todosijevic më tej shtoi se “Gjatë vitit që po lëmë pas, janë realizuar një numër i madh i aktiviteteve për komuna, të përqendruara në zhvillimin e kuadrit ligjor për vetëqeverisje lokale, mbështetjes së projekteve kapitale të komunave dhe shoqërisë civile, forcimin e administratës komunale, zhvillimin e resurseve njerëzore, promovimin e transparencës, zbatimin e obligimeve nga PKZMSA, forcimin e ligjshmërisë në komuna dhe shumë projekte të tjera”.

    Ministri Todosijevic së bashku me Sekretaren Ukimeraj ndanë mirënjohjet për ish - zyrtarët e MAPL-së të cilët kanë qenë pjesë e Ministrisë dhe të cilët kanë ofruar kontributin e tyre profesional për më shumë se një dekadë dhe njëkohësisht i ndanë mirënjohjet edhe për zyrtarët e përzgjedhur si më të mirët për vitin 2017. Në përmbyllje  të takimit, u shprehën falënderime për komunat, partnerët ndërkombëtar, shoqërinë civile dhe mediat  për bashkëpunimin e pa rezervë që kemi pasur gjatë vitit 2017 dhe që jemi duke vazhduar, si dhe u potencua se MAPL në koherencë do të përkrah komunat në të gjitha fushat për të cilat ato kanë nevojë.