Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë, ka mbajtur sot një takim pune me Kryesuesit e Kuvendeve të Komunave dhe partnerë të tjerë relevantë, me qëllim të vlerësimit të ligjshmërisë së akteve të Komunave për periudhën Janar – Qershor 2025 dhe diskutimit rreth Draft-Rregullores për Shqyrtimin e Akteve të Komunave.
Takimi filloi me fjalë mirëseardhjeje nga z.Jeton Qela, Sekretar i Përgjithshëm i MAPL-së, duke theksuar rëndësinë e përforcimit të mekanizmave ligjor dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë gjetjet kryesore nga vlerësimi i akteve për gjashtëmujorin e parë të vitit, si dhe të japin komente dhe sugjerime për përmirësimin e Draft-Rregullores për procedurën e shqyrtimit administrativ të akteve të komunave. Diskutimi i përbashkët shërbeu për të harmonizuar qëndrimet dhe për të identifikuar hapa konkret drejt zbatimit më të mirë të legjislacionit në nivel lokal.
MAPL mbetet e përkushtuar në avancimin e qeverisjes lokale dhe rritjen e transparencës dhe ligjshmërisë në procesin vendimmarrës.