Drejtori i Departamentit për Digjitalizimin e Shërbimeve në Komuna në kuadër të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), z. Flurim Arifi, mori pjesë në tryezën e organizuar nga #KDI, ku u prezantua hulumtimi mbi rregullativën ekzistuese të integritetit politik në Kosovë.
Gjatë tryezës u diskutua mbi sfidat ligjore, institucionale dhe digjitale që ndikojnë në integritetin politik, me theks të veçantë në fragmentimin e ekosistemit të të dhënave dhe nevojën për avancimin e transparencës përmes publikimit të të dhënave në formate të hapura, të standardizuara dhe të ripërdorshme. Po ashtu, u theksua rëndësia e kalimit drejt qasjes “open-by-default” dhe përmirësimit të ndërlidhjes ndërinstitucionale të të dhënave për të mundësuar llogaridhënie më efektive.
Me këtë rast, z. Arifi theksoi rëndësinë e Partneritetit për Qeverisje të Hapur (OGP), duke nënvizuar angazhimin e MAPL-së në avancimin e transparencës dhe përfshirjes qytetare përmes Planit të Veprimit 2026–2028. Ai gjithashtu u ndal në rolin e platformës E-Komuna si instrument kyç për digjitalizimin e shërbimeve komunale dhe rritjen e qasjes së qytetarëve në shërbime publike, si dhe në nevojën për zhvillimin e mëtejmë të saj dhe integrimin me sisteme të tjera shtetërore për të rritur efikasitetin dhe transparencën institucionale.
Në përfundim, u theksua se digjitalizimi i proceseve dhe përdorimi i avancuar i të dhënave mbeten elemente thelbësore për ndërtimin e institucioneve më të hapura, më efikase dhe më të përgjegjshme ndaj qytetarëve.

