Reagim lidhur me procesin e ndarjes së mbështetjes financiare për OJQ-të në fushën e qeverisjes lokale

Pas reagimeve dhe raportimeve të publikuara gjatë ditës së djeshme lidhur me procesin e ndarjes së mbështetjes financiare për OJQ-të në fushën e qeverisjes lokale, konsiderojmë të nevojshme të ofrojmë disa sqarime për opinionin publik. Procesi është zhvilluar në përputhje të plotë me Rregulloren MF Nr. 04/2017 për Kriteret, Standardet dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve, si dhe me kriteret e përcaktuara në thirrjen publike, duke respektuar parimet e ligjshmërisë, trajtimit të barabartë, transparencës dhe llogaridhënies.

Vlerësimi i aplikacioneve është realizuar në mënyrë profesionale, objektive dhe të paanshme nga komisionet e emëruara sipas procedurave ligjore. Në përbërje të procesit të vlerësimit kanë marrë pjesë jo vetëm përfaqësues institucionalë, por edhe ekspertë dhe përfaqësues të jashtëm, duke garantuar integritet, profesionalizëm dhe besueshmëri në secilën fazë të procesit. Çdo aplikacion është shqyrtuar dhe vlerësuar mbi bazën e kritereve të shpallura paraprakisht dhe dokumentacionit të dorëzuar nga aplikuesit.

Po ashtu, duhet theksuar se procesi ende nuk ka përfunduar. Aktualisht jemi në fazën e shqyrtimit të ankesave nga Komisioni i Ankesave, mekanizëm i paraparë me Rregulloren MF Nr. 04/2017 pikërisht për të garantuar të drejtën e secilit aplikant për rishqyrtim të vendimeve dhe trajtim të drejtë procedural. Për këtë arsye, rezultatet e publikuara deri më tani janë preliminare dhe jo përfundimtare.

Në përputhje me rregulloren në fuqi, lista përfundimtare e përfituesve, së bashku me emrat e organizatave, vlerat e financimit të aprovuar dhe informacionet e tjera relevante, do të publikohen pas përfundimit të procedurës së ankesave dhe nxjerrjes së vendimit përfundimtar. Kjo qasje synon të mbrojë integritetin e procesit dhe të sigurojë që të gjitha procedurat administrative dhe ligjore të përmbyllen para publikimit të rezultateve finale.

Transparenca nuk matet me publikimin e informacioneve gjatë një procesi ende të papërfunduar, por me respektimin e ligjit, procedurave dhe publikimin e plotë të rezultateve përfundimtare. Pikërisht këtë është duke e bërë MAPL-ja: një proces të rregullt, të dokumentuar, të monitorueshëm dhe të zhvilluar në përputhje me standardet e përcaktuara nga Rregullorja për Financimin Publik të OJQ-ve.

Pas përmbylljes së procedurës së ankesave, opinioni publik do të njoftohet në mënyrë të plotë për rezultatet përfundimtare, përfituesit dhe vlerat e financimit, duke dëshmuar edhe një herë përkushtimin ndaj transparencës, llogaridhënies dhe menaxhimit të përgjegjshëm të fondeve publike.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors