Ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm, Jeton Qela, zhvilluan një takim me përfaqësuesit e Ambasadës së Zvicrës, Shkelqim Daci dhe të Sekretariatit Shtetëror për Zhvillim Ekonomik të Zvicrës (SECO), Dukagjin Bakija, të cilët po realizojnë një mision vlerësimi për inicimin e një projekti në fushën e mobilitetit të qëndrueshëm në Kosovë.
Gjatë takimit u diskutua për gjendjen aktuale të mobilitetit urban në komunat e Kosovës, sfidat me të cilat përballen autoritetet lokale, si dhe mundësitë për zhvillimin e politikave dhe investimeve që promovojnë transport të qëndrueshëm dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Me këtë rast, ministri shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë me SECO-n dhe partnerët e tjerë në implementimin e këtij projekti në nivel lokal, duke theksuar rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional dhe mbështetjes së komunave në avancimin e zgjidhjeve të qëndrueshme për mobilitetin urban.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal mbetet e përkushtuar në mbështetjen e iniciativave që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të komunave dhe në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.



