Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal  merr pjesë në panelin “Transparenca e të Dhënave – Themeli i Demokracisë dhe Vlerësimeve të Pavarura” organizuar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK)

Prishtinë, 15 korrik 2026 – Në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të themelimit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), u organizua paneli i diskutimit me temën “Transparenca e të Dhënave – Themeli i Demokracisë dhe Vlerësimeve të Pavarura”, gjatë të cilit u lansua edhe platforma Open Data e APK-së.

Në këtë panel, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) u përfaqësua nga znj. Mimoza Karameta, nga Divizioni për Partneritet për Qeverisje të Hapur (OGP), e cila theksoi rëndësinë e të dhënave të hapura në avancimin e transparencës, llogaridhënies dhe qeverisjes së hapur.

Ajo vlerësoi se platforma Open Data përbën një hap të rëndësishëm drejt rritjes së qasjes së qytetarëve në informacionet me interes publik, duke kontribuar në forcimin e besimit ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve, si dhe në përmirësimin e monitorimit të politikave publike nga mediat, shoqëria civile dhe komuniteti akademik.

Gjatë diskutimit, znj. Karameta theksoi se zhvillimi i kësaj platforme është në përputhje me zotimet e parapara në Planin e Veprimit për Partneritetin për Qeverisje të Hapur (OGP) 2026–2028, ku avancimi i transparencës përmes publikimit të të dhënave të hapura është identifikuar si një ndër prioritetet kryesore. Ajo inkurajoi edhe institucionet e tjera publike që të ndjekin këtë praktikë, duke zgjeruar publikimin e të dhënave të hapura dhe duke forcuar kulturën e transparencës institucionale.

Nga perspektiva e Partneritetit për Qeverisje të Hapur (OGP), u theksua se publikimi i të dhënave të hapura nuk ofron vetëm qasje në informacion, por krijon mundësi për pjesëmarrje më të madhe qytetare, monitorim të pavarur dhe vendimmarrje të bazuar në evidencë.

Në përfundim, znj. Karameta nënvizoi se “Transparenca nuk është vetëm një obligim institucional. Transparenca është një marrëdhënie besimi ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve, ndërsa të dhënat e hapura janë gjuha përmes së cilës ndërtohet ky besim.”

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors