Divizioni për Avancimin e të Drejtave të Njeriut në Komuna, në kuadër të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe organizatën ‘Syri i Vizionit’, realizuan trajnimin tre-ditor për ngritjen e kapaciteteve të sekretarëve të Ekipeve për të Drejtat e Fëmijës në komuna.
Trajnimi u mbajt nga 29 qershori deri më 1 korrik 2026, në Vërmicë, me pjesëmarrjen e sekretarëve të Ekipeve për të Drejtat e Fëmijës, përfaqësuesve të komunave, MAPL-së dhe institucioneve të tjera përgjegjëse në nivel lokal .
Qëllimi i trajnimit ishte fuqizimi i kapaciteteve profesionale të zyrtarëve komunal për mbledhjen, organizimin, analizimin dhe përdorimin e të dhënave, me qëllim të përmirësimit të monitorimit, raportimit, planifikimit dhe vendimmarrjes në fushën e mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të fëmijëve. Gjatë tri ditëve të trajnimit, pjesëmarrësit diskutuan për mënyrën aktuale të mbledhjes dhe raportimit të të dhënave, sfidat me të cilat përballen komunat, si dhe nevojën për krijimin e një procesi më të qartë dhe të standardizuar të raportimit.
Si rezultat i trajnimit, u hartuan propozime konkrete për përditësimin e pyetësorit për komuna, standardizimin e procesit të mbledhjes së të dhënave dhe forcimin e lidhjes ndërmjet planeve komunale të punës, monitorimit dhe raportimit institucional. Po ashtu, u theksua se raportimi nuk duhet të kufizohet vetëm në paraqitjen e numrit të aktiviteteve të realizuara, por duhet të përmbajë edhe informata për rezultatet e arritura, grupet përfituese, sfidat, mangësitë dhe rekomandimet për përmirësimin e politikave dhe shërbimeve për fëmijët.
Në vazhdim, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të Mirë (ZQM) në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, komunat, organizatën Syri i Vizionit (SiV) dhe organizatat tjera partnere, do të vazhdojë angazhimin për fuqizimin e mekanizmave komunalë për të drejtat e fëmijëve, ngritjen e kapaciteteve të zyrtarëve përgjegjës dhe përmirësimin e cilësisë së monitorimit dhe raportimit në këtë fushë.

