Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal mori pjesë në aktivitetin treditor “Simulimi i Asamblesë së Qytetarëve: Pionierë të demokracisë deliberative lokale”, i cili u mbajt më 21–23 korrik 2026 në Brezovicë.
Aktiviteti u organizua nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale i Këshillit të Evropës, në kuadër të projektit “Forcimi i qeverisjes shumënivelëshe dhe demokracisë pjesëmarrëse”. Në të morën pjesë përfaqësues të nëntë komunave, MAPL-së, Asociacionit të Komunave të Kosovës, organizatave partnere dhe ekspertë vendorë e ndërkombëtarë.
Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit u njohën me fazat kryesore të organizimit të një asambleje qytetare, duke përfshirë informimin, deliberimin, hartimin e rekomandimeve, votimin dhe përcaktimin e hapave institucionalë për trajtimin e tyre.
MAPL u përfaqësua nga z. Flurim Arifi, Drejtor i Departamentit për Digjitalizimin e Shërbimeve Komunale, dhe z.Besim Murtezani nga Departamenti Ligjore.
Në kuadër të diskutimeve, përfaqësuesit e MAPL-së trajtuan aspektet institucionale dhe ligjore të demokracisë pjesëmarrëse, sfidat që lidhen me zbatimin e mekanizmave të parregulluar, si dhe mundësitë për krijimin e një modeli të zbatueshëm të asambleve qytetare në nivel lokal.
Në ditën përfundimtare, z. Arifi kontribuoi edhe në procesin e harmonizimit të rekomandimeve të hartuara nga pjesëmarrësit, me synim që ato të jenë konkrete, gjithëpërfshirëse dhe të zbatueshme nga institucionet lokale.
MAPL mbetet e përkushtuar në avancimin e demokracisë lokale, forcimin e pjesëmarrjes qytetare dhe zhvillimin e mekanizmave që mundësojnë përfshirje më të gjerë të qytetarëve në proceset vendimmarrëse.

