Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në bashkëpunim me Ministrinë për Vetëqeverisje Lokale të Maqedonisë së Veriut, ka realizuar vizita monitoruese në gjashtë projektet e kontraktuara në kuadër të Thirrjes së Parë të IPA III, si dhe në një projekt të Thirrjes së Pestë të IPA II, në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Kosovë – Maqedoni e Veriut.
Vizitat janë realizuar në Kllokot, Manushë, Rahovec, Prishtinë dhe Han të Elezit, me qëllim të takimit nga afër me ekipet zbatuese të projekteve, diskutimit të progresit të deritanishëm dhe theksimit të rëndësisë së realizimit me kohë të aktiviteteve të planifikuara dhe në përputhje me obligimet kontraktuale.
Në vizita morën pjesë përfaqësues të Strukturës së Programit në MAPL, Sekretariatit të Përbashkët Teknik (SPT) dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Vizitat monitoruese janë një mekanizëm i rëndësishëm për përcjelljen e zbatimit të projekteve, identifikimin me kohë të sfidave eventuale dhe ofrimin e mbështetjes së nevojshme për përfituesit, me synim që aktivitetet dhe rezultatet e planifikuara të realizohen me sukses.
Gjatë javës së ardhshme, vizitat monitoruese do të vazhdojnë edhe te partnerët e këtyre projekteve në Maqedoninë e Veriut, duke siguruar përcjellje të koordinuar të zbatimit të projekteve në të dyja anët e kufirit.





