Pejë, 11–12 shtator 2026 – Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), përmes Departamentit për Qeverisje të Mirë Lokale, përkatësisht Divizionit për Transparencë në Komuna, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, organizoi punëtorinë dyditore me temën “Avancimi i transparencës dhe pjesëmarrjes qytetare në qeverisjen lokale: buxhetimi me pjesëmarrje, këshillat e fshatrave dhe përfshirja e komuniteteve jo-shumicë dhe grupeve të cenueshme”.
Punëtoria kishte për qëllim avancimin e praktikave të buxhetimit me pjesëmarrje dhe forcimin e përfshirjes së qytetarëve në proceset buxhetore në nivel lokal. Në veçanti, diskutimet u fokusuan në rëndësinë e krijimit të mekanizmave efektivë për konsultimin dhe informimin e qytetarëve, rritjen e transparencës komunale, si dhe krijimin e mundësive që qytetarët të shprehin nevojat e tyre, të propozojnë dhe të prioritizojnë projekte me interes për komunitetin.
Gjatë dy ditëve të punëtorisë u trajtuan tema që lidhen me pjesëmarrjen qytetare në qeverisjen lokale, procesin e buxhetimit me pjesëmarrje, organizimin e takimeve dhe konsultimeve publike, si dhe rolin e komunave në ofrimin e informatave të qasshme dhe transparente për qytetarët.
Një rëndësi e veçantë iu kushtua edhe rolit dhe funksionimit të këshillave të fshatrave, si mekanizma të rëndësishëm për komunikimin ndërmjet komuniteteve dhe institucioneve lokale. Në këtë kontekst, u diskutua nevoja për fuqizimin e këtyre mekanizmave dhe përfshirjen e tyre më aktive në identifikimin e nevojave dhe prioriteteve të banorëve.
Gjithashtu, në kuadër të punëtorisë u diskutua për rëndësinë e përfshirjes së komuniteteve jo-shumicë dhe grupeve të cenueshme në proceset e vendimmarrjes dhe konsultimeve publike. U theksua se pjesëmarrja gjithëpërfshirëse dhe e barabartë e qytetarëve është një element i rëndësishëm për ndërtimin e një qeverisjeje lokale transparente, llogaridhënëse dhe të orientuar drejt nevojave të komunitetit.
Në punëtori morën pjesë zyrtarë për informim dhe zyrtarë përgjegjës për konsultime publike nga komunat. Pjesëmarrësit patën mundësi të shkëmbejnë përvoja dhe praktika, të diskutojnë sfidat me të cilat përballen komunat në proceset e konsultimit dhe pjesëmarrjes qytetare, si dhe të identifikojnë mundësi për përmirësimin e këtyre proceseve.
Në përfundim të punëtorisë u vlerësua se rritja e transparencës, forcimi i mekanizmave të pjesëmarrjes qytetare dhe përfshirja e gjerë e komuniteteve janë të rëndësishme për një proces më gjithëpërfshirës të planifikimit dhe përcaktimit të prioriteteve buxhetore në nivel lokal.
Punëtoria shërbeu gjithashtu si një platformë për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira ndërmjet komunave dhe institucioneve relevante, me synim përmirësimin e mëtejshëm të transparencës dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në qeverisjen lokale.
MAPL mbetet e përkushtuar në mbështetjen e komunave për avancimin e mekanizmave të transparencës dhe pjesëmarrjes qytetare, me qëllim të ndërtimit të një qeverisjeje lokale më të hapur, gjithëpërfshirëse dhe në shërbim të qytetarëve.

