Prishtinë, 08 prill 2020
Ministrja e MAPL-së Emilija Redžepi së bashku me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia dhe Ministren e MASHTI-t Hykmete Bajrami kanë realizuar vizitat e tyre në komunat: Klinë, Pejë, Gjakovë ku janë takuar me kryetarët e komunave përkatëse.
Gjatë këtyre vizitave ata janë informuar nga afër lidhur me menaxhimin e situatës emergjente dhe bashkërendimin ndër-institucional të veprimeve për parandalimin e pandemisë së virusit Corona- COVID-19.
Kryeministri dhe Ministrja e MAPL-së kanë siguruar Kryetarët e Komunave për vazhdimin e mbështetjes së Qeverisë për të tejkaluar këtë fazë emergjente e cila është krijuar për shkak të përhapjes së virusit.
Ata kanë rikonfirmuar gatishmërinë e institucioneve qendrore për mbështetje financiare dhe furnizimet me pajisje mbrojtëse gjatë fazës emergjente. Ata u zotuan për përkrahje të Komunave edhe pas fazës së pandemisë, me qëllim rimëkëmbjen ekonomike.
Kryeministri dhe Ministrja e MAPL-së, njëkohësisht kanë kërkuar nga Kryetarët që të udhëzojnë qytetarët të qëndrojnë në shtëpi dhe të respektojnë vendimet e Qeverisë për situatën emergjente.