Forumi Konsultativ per Qeverisje Lokale

Misioni

Forumi Konsultativ për Qeverisje Lokale (tutje: Forumi) është mekanizëm i përbashkët konsultativ i krijuar nga Ministria e Pushtetit Lokal (MPL) dhe disa organizata të shoqërisë civile që fokus të punës kanë qeverisjen lokale në Kosovë në vitin 2019.

Forumi është themeluar për të diskutuar zhvillime, tema, projekte dhe ide rreth qeverisjes lokale në Kosovë me qëllim promovimin, kontributin dhe avokimin e përbashkët në zhvillimin e mëtutjeshëm të vetëqeverisjes lokale. Temat e diskutuara propozohen nga anëtarët e forumit dhe paraprakisht marrin pëlqimin e forumit për t’u diskutuar në takimet tjera.

Si rregull, Forumi mban dy takime në vit, mirëpo takime tjera mund të caktohen me propozimin e anëtarëve të tij. Po ashtu, Forumi mund të vendosë të ftojë edhe palë të tjera në diskutim të cilat mund të vlerësohen me interes për punën e Forumit. Anëtarësimi në Forum është vullnetar dhe organizata tjera që bëjnë punë në qeverisjen lokale mund të marrin pjesë në mbledhje apo të bëhen anëtarë.

Puna e Forumit koordinohet nga MPL, përkatësisht nga Departamenti për Integrime Evropiane dhe Koordinim të Politikave (DIEKP). Takimet e forumit kryesohen me rotacion nga një anëtar i një prej organizatave pjesëmarrëse sipas propozimit të forumit. Takimet e forumit ftohen nga DIEKP sipas agjendës së bashkërenduar në takimit paraprak dhe diskutimet e përfundimet e takimit përmblidhen nga një zyrtar i DIEKP në formën e procesverbalit.