Është nënshkruar Marrëveshja e Mirëkuptimit ndërmjet MAPL-së dhe Korpusit të Paqes (Trupat e Paqes / Kosovë)

13 shtator 2018, Prishtinë

Sot, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijevic në emër të MAPL-së, ka nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi me Korpusin e Paqes (Paace Corps / Kosovë) përkatësisht me shefen e Korpusit të Paqes, Darlene Grant.

Kjo marrëveshje ka të bëjë me implementimin e projektit Zhvillimi i komuniteteve të Korpusit të Paqes në Kosovë të mbështetur nga MAPL dhe zbatuar nga Korpusi i Paqes Kosovë, përmes punës 27 muajshe të Vullnetarëve të Korpusit të Paqes, të cilët do të ofrojnë ndihmë organizatave, institucioneve dhe individëve në ndërtimin e kapitalit shoqëror, përmes pjesëmarrjes dhe promovimit të punësimit të të rinjëve dhe grave në komunat e ndryshme të Kosovës.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Todosijevic shprehu kënaqësinë e tij për shkak se, siç tha ai vet në këtë Marrëveshje, vullnetarët e Korpusit të Paqes, duke punuar në fushën e arsimit, kulturës, mjedisit dhe zhvillimin e përgjithësuar të shoqërisë, duhet të kontribuojnë në edukimin e të rinjve në Kosovë, shkëmbimin e ideve dhe përvojave në fushën e arsimit dhe kulturës.

Shefja e Korpusit të Paqes, Darlene Grant falënderoi MAPL-në për mbështetjen dhe partneritetin në projekt, si dhe shtoi se nëpërmjet këtij projekti gratë dhe të rinjtë e komunave të Kosovës do të rrisin pjesëmarrjen e tyre në shoqërinë civile dhe në të njëjtën kohë do të rrisin shkathtësitë e tyre për punësim.