Filloj puna për studimin e fizibilitetit të qeverisjes Lokale në Kosovë

Prishtinë, 04 shtator 2019

Është mbajtur takimi i parë i Panelit Këshillues me kryesues të grupeve tematike dhe ekspertët e angazhuar për studimin e fizibilitetit të sistemit të qeverisjes lokale në Kosovë. Ky aktivitet është pjesë e Planit të Punës së Qeverisë dhe MAPL-së për vitin 2019.

Objektivat e Studimit Gjithëpërfshirës për Funksionimin e Qeverisjes Lokale në Kosovë fillimisht do të kenë një analizë / studim diagnostikues mbi pajtueshmërinë e sistemit të vetëqeverisjes lokale të Kosovës me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe sfidat në zbatimin e legjislacionin kombëtar përkatës për qeverisjen lokale dhe si fazë e dytë e identifikimit të disa prej praktikave më të mira evropiane për qeverisjen lokale që mund të konsiderohet nga Kosova në të ardhmen.

Qëllimi i studimit ka të bëjë me realizimin e një shqyrtimi funksional të sistemit të vetëqeverisjes lokale për të ndihmuar MAPL-në në krijimin e aranzhimeve të duhura institucionale dhe shmangien e boshllëkut ligjor. Studimi mund t’i ndihmojë komunat që të bëhen të qëndrueshme, transparente dhe llogaridhënëse (në aspektin e qeverisjes) për publikun dhe përgjegjëse duke iu shërbyer nevojave të qytetarëve të tyre.

Pasi që Kosova aspiron të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës dhe detyrohet, sipas kushtetutës së saj, për zbatimin e KEVQL, është e dobishme që të aplikohet metodologjia e Këshillit të Evropës e cila pasqyron standardin e përbashkët evropian në të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Evropës.

Me një studim të tillë diagnostik, Kosova jo vetëm që do të jetë në gjendje të kuptojë se në çfarë mase sistemi i saj i vetëqeverisjes lokale është në përputhje me kushtetutën, por gjithashtu do të kuptojë më mirë nëse dhe në çfarë mase sistemi i saj i vetëqeverisjes lokale është në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës, si parakusht për anëtarësimin e ardhshëm në këtë organizatë.

I gjithë ky aktivitet ndahet në dy faza, faza e para është faza diagnostifikuese e përshkrimit të situatës aktuale dhe përputhshmërisë me Kartën Evropiane për Qeverisje Lokale, e cila do të përfundoj deri në fund të vitit 2019, ndërsa faza e dytë është faza përfundimtare e ofrimit të praktikave më të mira dhe opsioneve për avancimin e sistemit të qeverisjes lokale.