Fjala e Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal

Këtë fjalë ceremoniale, dua t’a filloj me falënderimin për USAID, që në vazhdimësi me… Ceremonia e ndarjes së fondit stimulues

I nderuar ud. Drejtor i Misionit të USAID në Kosovë, z. Craig Buck,

Të nderuar Kryetarë të Komunave të Republikës së Kosovës,

Të nderuar përfaqësues të organizatave jo-qeveritare,

Të nderuar pjesëmarrës,

Këtë fjalë ceremoniale, dua t’a filloj me falënderimin për USAID, që në vazhdimësi me projekte të ndryshme po mbështetë komunat, që direkt po ndikon në përmirësimin e shërbimeve në raport me qytetarët.Para disa muajsh, lansuam projektin e përbashkët të USAID/DEMI në lidhje me fondin stimulues. Ditët ecën shpejt dhe pas një pune intensive të grupeve të përbashkëta punuese të MAPL-së dhe USAID/demi, sot, po takohemi përsëri të ndajmë shpërblimet për komunat përfituese të fondit stimulues.

Të nderuar të pranishëm,

Edhe ky aktivitet i sotëm, i përbashkët, paraqet vazhdimësinë e  një bashkëpunimi të mirë, për të krijuar dhe zhvilluar gjithë procesin e menaxhimit të performancës komunale. Nëpërmjet këtij sistemi, komunat mund të shohin se në çfarë niveli po i ofrojnë shërbimet e tyre për qytetarët; në cilat fusha kanë shënuar ngritje apo eventualisht të identifikojnë fushat ku komunat kanë nevojë të jenë më e fokusuara për të ardhmen. Andaj, në veçanti, i ftoj  Kryetarët e Komunave dhe Drejtorët e Administratës së Komunave, që të jenë të përkushtuar në zbatimin e këtij programi, sepse do të jetë me interes të madh për të gjithë.

Të nderuar të pranishëm,

Monitorimi i ofrimit të cilësisë së shërbimeve, nuk duhet të kuptohet si një rol i kontrollit, por si qëllim i përbashkët që duke përkrahur komunat në njërën anë dhe duke nxitur ndonjëherë edhe konkurrencën mes tyre,  të ndikojë në ofrimin e shërbimeve efikase dhe cilësore për qytetarët.

Kosova, është ndër vendet e pakta në rajon, që po provon të vendosë një sistem të matjes së performancës komunale. Ndërsa, MAPL duke përmbushur detyrimin e saj ligjor, për të matur cilësinë e shërbimeve komunale, në bashkëpunim me USAID, me një punë të përbashkët që kishte filluar diku në vitin 2008, u vendos sistemi i  ri dhe unik për matjen e performancës së komunave.

Vendosja e këtij sistemi mund të jetë  një sinjal i qartë për komunat, që në bazë të rezultateve në punë dhe përkushtimin e tyre që të ofrojnë shërbime sa më cilësore, për qytetarët, njëkohësisht të jenë përfituese granteve dhe fondeve stimuluese edhe nga qeveria qendrore por edhe nga donatorët.

Në këtë drejtim, MAPL, për herë të dytë, publikon raportin e performancës së Komunave të Kosovës ku të dhënat e  pasqyruara nga komunat por edhe  opinioni i  qytetarëve në lidhje me cilësinë e shërbimeve komunale, të jenë në dispozicion edhe të donatorëve që janë të interesuar të investojnë;  edhe qeverisë qendrore që komunat që kanë performuar më së miri të shpërblehen; por njëkohësisht, të rritet transparenca e punës së tyre edhe për mediat dhe publikun e gjerë në lidhje me ofrimin e shërbimeve komunale.

Në anën tjetër, instalimi i  sistemit të menaxhimit të performancës komunale, do të ndikojë që ndërmjet komunave të nxitet konkurrenca, për të ofruar shërbime sa më të shpejta dhe cilësore për qytetarët e tyre sepse në vitet e ardhshme ky sistem do të prodhojë efektet e veta direkte dhe rrugën e vetme drejt thithjes së fondeve stimuluese.

Në këtë frymë është dizajnuar edhe ceremonia e sotme e përbashkët e ndarjes së shpërblimeve nga ana e MAPL-së dhe USAID/DEMI, që  bazohet në rezultatet e punës së komunave. Nga vlera e përgjithshme e fondit stimulues prej 660 mijë dollarëve,  MAPL ka ndarë vlerën prej 50 mijë euro, vlerë e cila do t’i jepet dy komunave përfituese, nga tetëmbëdhjetë të tilla që përfitojnë sot.

Komunat përfituese janë përzgjedhur në bazë të shënimeve nga raporti i monitorimit dhe raporti i performancës komunale për vitin 2010, duke u fokusuar në fushën e ofrimit të shërbimeve komunale dhe transparencën e punës së Kuvendeve.

Të nderuar pjesëmarrës,

Edhe njëherë gjej rastin që t’i falënderoj përfaqësuesit e komunave për gjithë bashkëpunimin e mirë në drejtim të vendosjes së këtij sistem dhe duke e përfunduar këtë fjalë, ju ftoj që t’i kontribuojmë avancimit të sistemit të performancës së komunave edhe në të ardhmen, dhe të njëjtin t’a shohim si një  mundësi të komunave që bazuar në rezultatet e punës së tyre, të përfitojnë fonde stimuluese që direkt ndikojnë në ngritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët.

Ju falënderoj për vëmendjen.

Sllobodan Petroviç

Zëvendës Kryeministër dhe Ministër  i Administrimit të Pushtetit Lokal

Prishtinë, 1 Qershor 2011