24 Shkurt 2018, Prishtinë
Të arriturat dhe sfidat e pushtetit lokal në Kosovë
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lolal në mbështetje të misionit të OSBE-së në Kosovë, organizuan konferencën e përbashkët me kryetarë të komunavë në temën: “Të arriturat dhe sfidat në fushën e vetëqeverisjes lokale në Kosovë”. Hapja e sesionit u bë nga Ministri i MAPL-së, Ivan Todosijeviç i cili prezantoi të arriturat e pushtetit lokal në Kosovë, ndërsa fjalë rasti mbajtën shefi i OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jan Braathu dhe Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherri. Pjesëmarrës ishin edhe Ministrja e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar dhe zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Fatmir Gashi.
Në këtë takim u diskutua për sfidat dhe të arriturat e pushtetit lokal në Kosovë, si dhe mundësitë që pushteti lokal duhet të shfrytëzoj në krijimin e kushteve zhvillimore, për të rritur mirëqenien e përgjithshme të qytetarëve në vend. Në këtë takim u prezantuan objektivat afatmesme strategjike për avancimin e vetëqeverisjes lokale, duke veçuar nevojën për fuqizim të kapaciteteve lokale për qeverisje më efektive, thellimin e bashkëpunimit në mes të komunave dhe aktorëve të tjerë të interesit, përfshirë komunitetet lokale dhe shoqërinë civile.
Veç kësaj u adresua rëndësia e ndërmarrjes së hapave në fushën e bashkëpunimit ndërkomunal, bashkërendimit të komunave me nivelin qendror për realizimin e projekteve komunale, si dhe koordinimi me donatorë në drejtim të realizimit të projekteve të përbashkëta. Gjithashtu, u adresuan edhe çështje të tjera të rëndësishme të financave lokale, rritjes së aftësive buxhetore të komunave, menaxhimit të parasë publike, si dhe përmirësimit të procedurave administrative konform rekomandimeve në raportet e Auditorit të Përgjithshëm.