Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me misionin e OSBE-së në Kosovë, me datë 29 dhe 30 nëntor 2017, në Pejë, organizuan punëtorinë e përbashkët lidhur me “Zbatimin e SVL-së 2016 – 2026 dhe hartimin e Draft Strategjisë për Zhvillim Ekonomik Lokal”. Pjesëmarrës në këtë punëtori ishin udhëheqës të departamenteve dhe zyrtar të MAPL, përfaqësues nga OSBE dhe përfaqësues nga ministritë e linjës të cilët janë pjesë e grupit punues për hartimin e Strategjisë për Zhvillim Ekonomik Lokal.
Kjo punëtori është seri e punëtorive të tjera të organizuara ndërmjet MAPL-së dhe misionit të OSBE-së në Kosovë, qëllimi i së cilës ishte të prezantoheshin aktivitetet e përbashkëta të realizuara gjatë vitit 2017 të cilat burojnë nga Strategjia për Vetëqeverisje Lokale 2016 – 2026, planifikimet e aktiviteteve të përbashkëta për vitin 2018, si dhe finalizimin e Draft Strategjisë për Zhvillim Ekonomik Lokal.
Në përmbyllje të punëtorisë, të pranishmit u pajtuan që Plani i Përbashkët i Veprimit MAPL – OSBE nevojitet të përditësohet duke listuar aktivitetet të cilat janë realizuar dhe ato të cilat ende nuk janë realizuar, si dhe të konkretizohen aktivitetet e përbashkëta për vitin 2018.