20 – 24 shtator 2019
Datë 21 shtator 2019 me rastin e vizitës së delegacionit të Komunave Frascineto dhe Civita, MAPL ka organizuar një takim të përbashkët me Kryesuesin e Kuvendit të Komunës së Prizrenit z. Artan Abrashi. Me këtë rast u diskutua për bashkëpunimet në fusha të ndryshme që janë në interes të përbashkët për të dy komunat. Pas takimit me kryesuesin, mysafirët vizituan qendrën historike dhe monumentet tjera kulturore të qytetit.
Në ditën e dytë të vizitës së delegacionit datë: 22 shtator 2019 ka vazhduar vizita në komunën e Rahovecit, ata gjatë ditës u pritën nga kryetari i komunës së Rahovecit z. Smajl Latifi dhe në takim u diskutua për bashkëpunimin ekonomik dhe binjakëzimin në mes të komunave Arbëreshe me Komunën e Rahovecit. Po ashtu përfaqësuesit e komunave arbëreshe të shoqëruar nga Stafi i komunës së Rahovecit dhe MAPL-së kanë vizituar Kompani dhe Biznese të ndryshme në Komunën e Rahovecit.
Në ditën e tretë të vizitës së tyre 23 Shtator 2019 u nënshkrua inicimi i marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Komunave Frascineto dhe Civita të Italisë me komunën e Rahovecit.
Me rastin e nënshkrimit të inicimit të marrëveshjes së bashkëpunimit komunal ndërkombëtar, Ministrja e MAPL-së znj. Adrijana Hodžić theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkomunal ndërkombëtarë dhe shkëmbimin e përvojave me vendet më të zhvilluara duke besuar që bujqësia dhe turizmi paraqesin potencial të jashtëzakonshëm për bashkëpunimin e dy komunave.
Ndërsa kryetari i komunës Frascineto z Angelo Catapano dhe Kryetari i Komunës së Rahovecit z. Smajl Latifi shprehen mirënjohje dhe falënderim për iniciativën e MAPL-së dhe u zotuan se Marrëveshjet e Bashkëpunimit do të zgjerohen edhe në fusha tjera.
Me datë 24 shtator 2019 në ditën e fundit të vizitës Delegacioni nga komunat e Italisë u takuan me kryetarët e komunave Fushë Kosovë dhe Lipjan komuna këto me të cilët kanë marrëveshje bashkëpunimi dhe në fund të ditës delegacioni i komunave arbëreshe u pritën në MAPL me ç’rast u diskutua për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe mundësinë e shkëmbimeve ndërmjet komunave të Republikës së Kosovës dhe komunave të shtetit të Italisë, në fushën e rinisë dhe arsimit.