Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors

MAPL mbajti Konferencën vjetore për medie për vitin 2013

Zëvendëskryeministri dhe Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, prezantoi sot, në Konferencën vjetore,  raportin e punës për vitin 2013.
Të nderuar gazetarë dhe përfaqësues të mediave,
Përshëndetje të gjithë të pranishmëve,
Së pari, më lejoni të ju falënderoj që ju keni përgjigjur ftesës së MAPL-së, në këtë konferencë vjetore.
Edhe këtë vit, MAPL është përkushtuar dhe angazhuar të avancojë vetëqeverisjen lokale dhe duke mbështetur Komunat, të ndikojë në rritjen e kualitetit të shërbimeve të qytetarëve.
Prandaj sot para Jush do të prezantojmë shkurtimisht aktivitetet kryesore derisa JU në formë të shkruar mund të merrni raportin detal.
Legjislacioni:

Sa i përket legjislacionit,  Ministria ka dërguar në Kuvend me kohë amendamentin e Ligjit për vetëqeverisjen lokale. Po ashtu është përgatitur projekt-ligji për ndryshimin e Ligjit për Kufijtë Administrativ të Komunave që parasheh krijimin e 3 komunave të reja dhe përfshirjen e rreth 140 vendbanimeve anekënd Kosovës që nuk janë në ligjin aktual. Ligji për Qytetin e Prishtinës me kohë është proceduar në Qeveri për miratim. Këtë vit MAPL i ka kushtuar kujdes të veçantë legjislacionit sekondar. Rregullorja për dhënien në shfrytëzim të tokës për nevoja të veçanta dhe procedurat për këmbimin e tokës publike komunale ka ndihmuar shumë kornizën ligjore dhe komunat në veprimtarinë  e tyre. Po ashtu, me qëllim të implementimit të legjislacionit primar, janë miratuar 6 rregullore dhe 2 udhëzime Administrative.

Mbikëqyrja e zbatimit të ligjit:

MAPL ka monitoruar në vazhdimësi aktivitetet e Komunave dhe zbatimin e detyrueshëm të ligjit. Përmes sistemit on-line të teleprezemcës janë monitoruar të gjitha mbledhjet e Komunave, gjithsej  297 seanca te Kuvendeve të komunave. Gjithashtu, monitorimi klasik përmes zyrtarëve të monitorimit është realizuar përmes ekipeve të monitorimit në terren, ndërsa sa i përket seancave inauguruese deri më tani janë mbajtur 31 mbledhje inauguruese. Pritet që inaugurimi i organeve të dala nga zgjedhjet të realizohet komplet brenda vitit 2013, me përjashtim të Komunës së Skenderajt që pritet të inaugurohen organet në fillim të janarit, 2014.

Janë vlerësuar gjithsej 776 akte të Komunave si të ligjshme, 33 akte të kundërligjshme ndërsa janë adresuar për shqyrtim të ligjshmërisë tek Ministritë e linjës 237 vendime të Komunave.

Zhvillimi i politikave dhe strategjive të vetëqeverisjes lokale:

Me qëllim të avancimit të procesit të reformës, MAPL ka formalizuar grupin ndër-sektorial për Hartimin ne strategjisë për vetëqeverisje Lokale dhe ne kemi zhvilluar Draft Strategjinë e Vetëqeverisjes Lokale 2014-2020.

Ka përfunduar definimi i kufirit administrativ të Komunës së Mitrovicës Veriore dhe janë bërë ndryshimet e nevojshme të numrit të anëtarëve të Kuvendeve Komunale në pajtim me statistikat zyrtare të regjistrimit të popullsisë, rezultate këto që tashmë janë implementuar me zgjedhjet lokale 2013.

Gjatë fazës para mbajtjes së zgjedhjeve lokale janë hartuar udhëzuesit për inaugurimin dhe funksionimin e Komunave.

Është hartuar plani aksional për funksionalizimin e katër Komunave në veri dhe në vazhdimësi është ofruar ndihma e nevojshme si dhe janë përgatitur buxhetet e katër komunave në veri dhe janë bërë të gjitha përgatitjet për funksionalizimin e tyre. Janë dhënë udhëzimet përkatëse për të gjitha komunat, ndërsa për të gjithë kryetarët e Komunave, janë dërguar shkresat njoftuese për periudhën tranzicionale të pushtetit dhe pranim dorëzimin e detyrës, me qëllim të implemenetimit të suksesshëm të rezultateve zgjedhore.

MAPL ka marrë pjesë në bisedimet teknike të zhvilluara në Bruksel sa i përket implementimit të marrëveshjes së Brukselit si dhe në vazhdimësi ka punuar me ekipin menaxhues dhe partnerët për hartimin e Statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Paraprakisht MAPL ka emëruar Ekipin Menaxhues për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Agjenda Evropiane

Për të përmbushur detyrimet nga agjenda Evropiane e Kosovës, MAPL përveç obligimeve të veta institucionale në këtë proces ka koordinuar edhe aktivitetet e Komunave. Menjëherë pas pranimit të raportit të Progresit, MAPL ka hartuar planin aksional për komunat, me qëllim të adresimit të sfidave nga ky raport ndërsa në  baza të rregullta mujore janë mbajtur takimet me zyrtarët për integrimet Evropiane. Janë hartuar raportet periodike më bazë tremujore, për Komuna, për implementimin e Planit për Veprim të MSA-së. Kujdes i veçantë i është kushtuar procesit të liberalizimit të vizave duke punuar shumë në procesin e riintegrimit të personave të riatdhesuar, përmasimin e shërbimeve të gjendjes civile dhe në Këshillat për Siguri në Bashkësi.

Bashkëpunimi Ndërkufitar:

Sa i përket bashkëpunimit ndërkufitar MAPL ka ndërmarrë të gjitha veprimet që të koordinojë të gjitha aktivitetet për tre programet e bashkëpunimit ndërkufitar: Kosovë-Shqipëri, Kosovë-Maqedoni dhe Kosovë-Mali i Zi. Janë bërë të gjitha përgatitjet për IPA2 dhe strategjinë 2014-2020, ndërsa të gjitha strukturat operative dhe monitoruese, janë funksionale për tre programet. Janë mbajtur ditët informuese për thirrjen për propozimet për programin e Maqedonisë, ndërsa vlerësimi i projekteve nga programi i Shqipërisë, ka përfunduar. Kosova gjithashtu është përfaqësuar në takimin e parë konsultativ për bashkëpunim ndërkufitar, të mbajtur në Beograd. Këtë vit, MAPL ka hapur Zyrat e Bashkëpunimit Ndërkufitar në Gjilan e Kumanovë (rajoni lindje) dhe në Pejë e Rozhajë (rajoni përendim). Kjo nënkupton funksionalizimin e tyre me stafin rekrutuar, hapësirat dhe pajisjet e punës dhe veprimet e nevojshme administrative e organizative.

Përkrahja Financiare e Komunave për Projekte:

Mbështetja financiare përmes projekteve të ndryshme ka vazhduar edhe gjatë këtij viti. Me qëllim të mbështetjes financiare, MAPL, nga buxheti i vet, ka financuar 35 projekte të ndryshme në vlerë  4,285,214.89 Euro. Po ashtu në kuadër të fondit të iPA-s, “Projekti implementimi i masave efiqiente ne sektorin publik te ndërtesave” janë duke u realizuar 68 projekte në vlerë prej 15 milion Euro, në kuadër të të cilit janë rregulluar 63 shkolla dhe 2 klinika. Gjithashtu, në kuadër të Fondit për Zhvillim Lokal Rajonal janë ndarë 570,760 Euro me të cilat  financohen apo bashkë-financohen 11 projekte të ndryshme në 26 komuna sipas 5 rajoneve të ndara sipas Agjencionit për Zhvillim Rajonal. Buxheti prej 3,210,943.76€ është investuar në më shumë se 20 komuna për realizimin e 35 projekteve të ndryshme; Llojet e projekteve në cilat janë bërë investime apo bashkë-investime nga MAPL-ja, janë si: Asfaltimi i rrugëve (23 Km2); Kanalizim atmosferik (130.00 M);  Trotuare (1.03 Km2)  , Ujësjellës (6286 M);  Objektet Kulturore-Bibliotekë (908.00 m2);  dhe Rregullime të jashtme (2184.37 m2). Gjithashtu, Në kuadër të fondit të IPA-së, Projekti “Muniinfra VII”, janë realizuar 17 projekte në vlerë prej 15.3 milion Euro, të cilat përfshijnë: Objektet komunale (2);  Objektet shkollore (9); dhe Objekte kulturore dhe fetare (6).

Përveç mbështetjes financiare, MAPL ka ndërmarrë veprimet për të matur cilësinë e shërbimeve komunale. Me këtë rast është hartuar raporti vjetor i performancës komunale ku në bazë të performancës së shërbimeve është janë shpërblyer tetë komuna me një vlerë të përgjithshme prej 360 mijë dollarë

Të drejtat e njeriut:

Ndërsa, në kuadër të promovimit dhe respektimit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, janë organizuar edhe tre  trajnime, me rreth 50 zyrtarë nga komuniteti RAE; si dhe është realizuar projekti “INVOLV“ lidhur me trajnimet përdorimit të teknologjisë informative ECDL për 12 personave me aftësi të kufizuara. Edhe në këtë vit, muaji prill është shpallur muaji i regjistrimit falas për komunitetin RAE. Janë mbajtur trajnime me zyrtarët komunal, dhe shoqërinë civile me 72 zyrtarë dhe përfaqësues të shoqatave.

Qasja në dokumente zyrtare dhe transparenca:

Me qëllim që qytetarët të kenë qasje në punën e MAPL-së dhe Komunave, edhe këtë vit MAPL ka punuar me Komunat që të konsolidojnë sistemin e monitorimit online, ndërsa është realizuar fushata informuese si dhe me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të zyrtarëve komunal, janë  organizuar tetë punëtori me përfaqësues komunal, institucione, asociacionit të komunave, shoqërisë civile dhe grupeve të interesit.  MAPL është përgjigjur të gjitha kërkesave për qasje në dokumente publike. Transparenca dhe përgjegjësia e MAPL-së për respektimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike është vlerësuar edhe nga Raporti i Rrjetit për Gazetari Hulumtuese BIRN për matjen e transparencës  së  institucioneve  si dhe nga Raporti i Komisionit për Monitorimin e  Përdorimit të gjuhëve ne ëeb-aplikacione, të cilat radhitin MAPL-në si njërin nga institucionet më të përgjegjshme për transparence dhe respektim të ligjit në fjalë.

Reforma në Administratën Publike:

Për këtë qëllim, në kuadër të përmbushjes së obligimeve që dalin nga procesi i reformës së administratës publike, në fillim të muajit shkurt të këtij viti Qeveria miratoi Rregulloren për Organizimin dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në MAPL-së, sipas të cilës sot MAPL-ja është ri organizuar dhe ka përfunduar fazën e sistematizimit dhe klasifikimin e vendeve të punës për nëpunësit e MAPL-së duke u bërë ndër institucionet e para që kanë përmbushur këtë detyrim.  Lidhur me këtë, vetëm për informacionin Tuaj, në MAPL janë të punësuar gjithsejtë 104 shërbyes civil, prej tyre 58 meshkuj dhe 46 femra, me këtë përbërje etnike: 8 serb, 1 boshnjak dhe 2 turq dhe tjerët shqiptarë, duke respektuar kështu të drejtat e veçanta të komuniteteve për përfaqësim në administratë publike. Ndërsa, për zhvillimin e punës së saj dhe arritjes së qëllimeve të paracaktuara, për këtë vit MAPL-ja ka pasur në dispozicion një shumë 6,098,223.00 €. Sot ne mund të konstatojmë se kemi shfrytëzuar 83% të buxhetit të dedikuar për Ministrinë tonë.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors