Mbahet takimi i përbashkët ndërmjet MAPL-së dhe Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione

Me datë 19 shkurt 2019, përfaqësueset nga MAPL kanë pritur në takim deputetët e Kuvendit të Kosovës nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, për të diskutuar monitorimin e zbatimit të Ligjit për Barazi Gjinore në MAPL dhe Komuna.

Përgjatë takimit u diskutua lidhur me veprimet që ka ndërmarrë MAPL në drejtim të mbikëqyrjes së vazhdueshme dhe avancimit të barazisë gjinore në komuna, ku deri në këtë fazë u tha se është arritur progres në disa aspekte të përfaqësimit gjinor në pozitat vendimmarrëse dhe në përfaqësimin e barabartë gjinor në dy komitetet obligative në kuadër të Kuvendeve të Komunave.

Gjithashtu, MAPL ka prezantuar progresin e arritur në zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore në shërbimin civil në kuadër të Ministrisë, me ç’rast është arritur 50% e nivelit të barabartë të përfaqësimit për të dy gjinitë, në të gjitha nivelet e hierarkisë institucionale.

Komisioni parlamentar vlerësoi lart punën e MAPL-së për arritjen e barazisë gjinore në Ministri dhe promovimin e barazisë gjinore në Komuna.