Prishtinë, 30 Mars 2022
Me ftesën e Këshillit të Europës, zyra në Prishtinë, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Elbert Krasniqi, mori pjesë në lansimin e programit të përbashkët të BE-së / CoE ROMACTED II, ‘Promovimi i qeverisjes së mirë dhe fuqizimi i komuniteteve në nivel lokal’.
Gjatë këtij organizimi Ministri z. Krasniqi në fjalën e tij theksoi se, “Në të gjitha vendet demokratike, komuna është institucioni më i rëndësishëm për trajtimin e kërkesave të qytetarëve, me detyrën të përfaqësoj drejtë nevojat dhe pikëpamjet e tyre, pa dallim. Pjesëmarrja e qytetarëve e sidomos të grupeve të cënueshme konsiderohet si një temë komplekse, por kontributi i saj është i rëndësishëm për zhvillim të qëndrueshëm të demokracisë. Ndërsa, programet e tilla si ROMACTED I, kontribuojnë në ngritjen e kapacitetit të komunave që këta qytetarë të marrin pjesë aktive në mekanizmat vendorë vendimmarrës, përmes konceptit të gjithë-përfshirjes aktive”.
Gjithashtu, Ministri z. Krasniqi ka nënvizuar rolin e MAPL-së në promovimin e qeverisjes së mirë dhe fuqizimit të komuniteteve ashkali, egjiptian dhe rom duke përmendur se në secilën iniciativë dhe program të MAPL-së, pjesë e rëndësishme janë edhe komunitetet ashkali, egjiptian dhe rom duke synuar përfshirjën e komuniteteve dhe fuqizimin e tyre.