Prishtinë, 04 Qershor 2022
Gjatë vizitës zyrtare në Estoni, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal z. Elbert Krasniqi ka zhvilluar takime me personalitete shtetërore dhe ka vizituar qendrat estoneze për të diskutuar dhe përfituar nga përvoja estoneze në veçanti në fushën e digjitalizimit.
Ministri z. Krasniqi në vazhdën e kësaj vizite zyrtare ka vizituar qendrën E-Estonia, për tu njoftuar nga afër me praktikat e kësaj qendre e cila ka inspiruar shtete të ndryshme, liderë botërore dhe korporata të suksesshme në rrugën e tyre drejt digjitalizimit.
Gjithashtu, Ministri z. Krasniqi është pritur në takim nga përfaqësuesit e Asociacionit të Komunave dhe Qyteteve Estoneze, Drejtori Ekzekutiv z. Veikko Luhalaid, Zëvendësdrejtori z. Jan Trei dhe Zëvendësdrejtori z. Rait Pihelgas.
Gjatë këtij takimi, Ministri z. Krasniqi ka njoftuar përfaqësuesit e Asociacionit të Komunave dhe Qyteteve Estoneze për fushëveprimin dhe iniciativat e MAPL-së, duke theksuar nevojën e reformave në nivelin lokal dhe ngritjen e kapaciteteve komunale në mënyrë që digjitalizimi të jetë sa më efikas dhe në shërbim të qytetarëve.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e Asociacionit të Komunave dhe Qyteteve Estoneze, kanë shprehur vullnetin e tyre për të bashkëpunuar me institucionet e Republikës së Kosovë, në fushën e zhvillimin ekonomik lokal, binjakëzimit në mes të dy Komunave të dy vendeve dhe natyrisht, asistimit të Komunave në digjitalizimin e shërbimeve komunale.