Zëvendëskryeministri Petrovic: “MAPL-së ka rritur bashkëpunimin dhe koordinimin me ministritë e tjera të linjës në funksion të rritjes së konsistencës në zbatimin e ligjeve nëpër komuna”
Me qëllim të mbështetjes së reformave të Qeverisë së Kosovës, kryesuar nga Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherit edhe Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Slobodan Petrovic, u mbajt takim i rregullt me kryetarët e komunave të Kosovës, derisa prezantuan edhe Zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëherit edhe Ministre e Ministrisë dhe Industrisë znj. Mimoza Kusari-Lila, Ministri i Punëve të Brendshme, z. Bajram Rexhepi, Ministrja e Integrimeve Evropiane, znj. Vlora Çitaku, si dhe Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, z. Dardan Gashi .
Duke prezantuar raportin tre mujor të monitorimit, Ministri Petrovic ftoi të gjithë kryetarët e komunave që gjatë rrjedhës së punës së tyre apo organeve të tjera të komunës, ku konstatohen shkelje ligjore, të marrin masat e nevojshme, në përputhje me rekomandimet e MAPL-së dhe ligjeve në fuqi në mënyrë të mundësojnë funksionimin e komunës në përputhje të plotë me ligjin dhe rekomandimet e Komisionit Evropian.
Më tej, Zëvendëskryeministri Petrovic prezantoi investimet kapitale nëpër komuna të financuara nga MAPL dhe shtoi se këto investime do të rrisin kapacitetet komunale dhe përmes tyre do të ndikohet në avancimin e shërbimeve efikase karshi qytetarëve.
“Kosova ka nevojë për të rritur investimet e saj në infrastrukturën publike, e gjithashtu, kjo garantohet edhe përmes procesit të vetëqeverisjes lokale”, tha Zëvendëskryeministri Petrovic.
Me qëllim të mbështetjes së reformave të Qeverisë së Kosovës si dhe bashkërendimit të mëtutjeshëm të aktiviteteve me kryetarë të komunave të Kosovës në këtë takim prezantuan edhe ministrat e pranishëm. Ministrja Kusari-Lila prezantoi lidhur me zbatimin e ligjit për inspektoratin dhe për mbikëqyrjen e tregut; Ministri Rexhepi prezantoi lidhur me regjistrimin civil dhe shërbimet e ofiqarisë; Ministrja Çitaku prezantoi lidhur me implementimin e rekomandimeve të raportit të progresit; dhe Ministri Gashi prezantoi lidhur me zbatimin e vendimit të qeverisë për parandalimin e eksploatimit të materialeve inerte në Kosovë.
Në fund, duke paraqitur konkluzionet e dala në këtë takim, Zëvendëskryeministri Petrovic ritheksoi nevojën që me përkushtim të vazhdohet të punohet bashkërisht në mënyrë që të sigurohet një ambient sa më i mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës.