Nën organizimin e Institutit GAP dhe GLPS u organizua tryeza e rrumbullakët me temën "Praktikat e Buxhetimit në Komunën e Prishtinës". 18 mars 2014, Prishtinë
Nën organizimin e Institutit GAP dhe GLPS u organizua tryeza e rrumbullakët me temën "Praktikat e Buxhetimit në Komunën e Prishtinës".
Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin përfaqësues nga Komuna e Prishtinës, asamblist komunal nga pozita dhe opozita, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të medies.
Fisnik Korenica, Drejtor Ekzekutiv nga GLPS prezantoi analiza Praktikat e Buxhetimit në Komunën e Prishtinës me të dhëna mbi trendet e të hyrave dhe shpenzimeve, dëgjimet publike sa i përket buxhetit dhe transparenca etj.
Gjatë prezantimit të tij ai tha se për dallim nga komunat tjera komuna e Prishtinës ka përqindje të lartë të të hyrave vetanake dhe se investimet e komunës janë shtirë në zonat ku ka më shumë votues të partisë në pushtet. Lidhur me transparencën e komunës, z. Korenica tha se në web faqen e komunës ka mungesë të raporteve që pasqyrojnë buxhetin dhe dokumentet tjera përcjellëse.
Kryetari i komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti tha se planifikimi buxhetor në komuna bëhet në mungesë të informatave duke u përsëritur nga viti në vit pa modifikime. Ndërsa transparenca vazhdon të mbetet një pikë e dobët e cila duhet të forcohet.
Kryetari Ahmeti theksoi edhe rëndësinë e fuqizimit të rolit dhe efikasitetit të auditorit të brendshëm në komuna, gjatë procesit të auditimit në komunë.
Lidhur me praktikat e buxhetimit në Komunat e Kosovës, Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit, z. Besnik Osmani tha se menaxhimi i buxhetimit përcillet me mungesë të planeve zhvillimore dhe të statistikave lidhur me menaxhimin e projekteve.
Po ashtu Sekretari Osmani theksoi mungesën e besueshmërisë së të dhënave të paraqitura nga ana e komunave që lidhen me procesin e buxhetimit.
“Menaxhimi i të hyrave vetanake të komuna duhet të përdoren në kthim e investimeve publike dhe të shëndrohen në oaza për zhvillim” tha Sekretari i MAPL-së, z. Besnik Osmani.
Duke folur në mënyrë specifike për komunën e Prishtinës, z. Osmani tha se Prishtinës i nevojitet një ligj special që rregullon çdo element që lidhet me kryeqytetin.