Slobodan Petrovic: Kjo ngjarje paraqet përfshirjen e komuniteteve pakicë në institucionet më të larta të… 15 korrik 2011, Prishtinë
Slobodan Petrovic: Kjo ngjarje paraqet përfshirjen e komuniteteve pakicë në institucionet më të larta të Kosovës, përmes të cilave do të kenë mundësi që të realizojnë të drejtat që i kanë.
Bashkë-kryesuar nga Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherazi edhe Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, e gjithashtu edhe Kryetar i Partisë së Pavarur Liberale Serbe (SLS), Slobodan Petrovic dhe Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), Pieter Feith u mbajt tryeza e rrumbullakët me temën: “Subjektet politike pakicë në procesin e ndryshimeve në Kushtetutën e Kosovës”.
Përveç përfaqësuesve të subjekteve politike të komuniteteve pakicë në Kosovë, pjesëmarrës në takim ishin edhe deputetë të këtyre partive në Kuvendin e Kosovës, përfaqësues të institucioneve relevante ndërkombëtare si dhe përfaqësues të ambasadave të akredituara në Kosovë.
Duke konsideruar si hap të parë drejt përfshirjes në procesin e ndryshimeve kushtetuese në Kosovë, në emër të subjektit më të madh nga radhët e pakicave në Kosovë, Kryetari i SLS-it, z. Slobodan Petrovic tha se, nga këndvështrimi i subjekteve politike pakicë, kjo ngjarje paraqet përfshirjen e komuniteteve pakicë në institucionet më të larta të Kosovës përmes të cilave do të kenë mundësi që të realizojnë të drejtat që i kanë.
"Të gjitha subjektet politike pakicë konsiderojnë se duhet të ekzistojë diskriminimi pozitiv kur është në pyetje garantimi i ulëseve në Parlamentin e Kosovës, ashtu siç është e definuar në Kushtetutën e tanishme të Kosovës”, tha Zëvendëskryeministri Petrovic.
Më tej në këtë tryezë, Pieter Feith tha se fuqizimi i komuniteteve pakicë është një nga elementet kryesore në procesin e decentralizimit. Në këtë segment, duke vlerësuar lart angazhimin e Qeverisë së Kosovës, ai u shpreh se ndryshimet e nevojshme kushtetuese duhet të bëhen me kujdes sigurojnë të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
"Nevojitet punë e përbashkët e subjekteve politike pakicë në Kosovë në mënyrë që përfitimet të jenë të duhura”, tha z. Pieter Feith.
Në diskutimet e të pranishmëve u tha se numri dhe shpërndarja e ulëseve të garantuar në Kuvendin e Kosovës nuk duhet të ndryshohet në dëm të komuniteteve pakicë.
Në fund të kësaj tryeze të rrumbullakët, u nënshkrua një deklaratë për veprim të përbashkët të subjekteve politike pakicë në Kosovë në procesin e ndryshimeve dhe plotësimeve në Kushtetutën e Kosovës.