Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka pritur në takim zyrtar delegacionin nga Republika e Hungarisë në përbërje të z. Zoltan Kovacs, Sekretar i Shtetit të Hungarisë, z. Pilz Tamas, Udhëheqës i Departamentit, znj. Gaal Nikolett, Asistente për Zhvillim, si dhe Ambasadorin e Republikës së Hungarisë në Kosovë, z. Laszlo Markusz, me qëllim të fuqizimit të bashkëpunimit ndërshtetëror, me theks të veçantë në fushën e vetëqeverisjes lokale dhe zhvillimit rajonal. 24 prill 2017, Prishtinë
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka pritur në takim zyrtar delegacionin nga Republika e Hungarisë në përbërje të z. Zoltan Kovacs, Sekretar i Shtetit të Hungarisë, z. Pilz Tamas, Udhëheqës i Departamentit, znj. Gaal Nikolett, Asistente për Zhvillim, si dhe Ambasadorin e Republikës së Hungarisë në Kosovë, z. Laszlo Markusz, me qëllim të fuqizimit të bashkëpunimit ndërshtetëror, me theks të veçantë në fushën e vetëqeverisjes lokale dhe zhvillimit rajonal.
Zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Bajram Gecaj, falënderoi delegacionin nga Republika e Hungarisë për ardhjen e tyre në Kosovë, duke potencuar se ky takim zyrtar mundëson që dy shtetet tona mike të fuqizojnë lidhjen e tyre dhe njëkohësisht të shkëmbejnë përvojat e tyre, veçanërisht në çështjet që kanë të bëjnë me vetëqeverisjen lokale dhe zhvillimin rajonal.
Në kuadër të zhvillimit të diskutimeve ndërmjet palëve, Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, znj. Rozafa Ukimeraj, njoftoi të pranishmit lidhur me funksionimin, rolin dhe përgjegjësin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, në kontekst të avancimit të vetëqeverisjes lokale në Kosovë dhe veprimet e ndërmarra për të mbështetur komunat me qëllim të përmbushjes së obligimeve nga agjenda evropiane.
Ndër të tjera, nga z. Yll Valla, Udhëheqës i Divizionit për Integrime Evropiane, u prezantua vetëqeverisja lokale në Kosovë që nga themelimi i saj e gjerë më sot, ndërkaq z. Besim Kamberaj, Udhëheqës i Departamentit për Bashkëpunim dhe Zhvillim Rajonal, prezantoi rolin dhe rëndësinë e zhvillimit rajonal në Kosovë, si dhe veprimet institucionale që janë ndërmarrë në drejtim të avancimit të këtij procesi në raport me kërkesat e BE-së.
Z. Zoltan Kovacs, Sekretar i Shtetit të Hungarisë foli rreth mënyrës së funksionimit të pushtetit lokal në Hungari, ku potencoi faktin se në organizimin e saj shtetëror ka 3200 komuna dhe 19 rajone të cilat kanë arritur një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, si dhe në anën tjetër tregoi përvojat e tyre rreth qeverisjes lokale në Hungari dhe në raport me shtetet anëtare të BE-së.
Në fund të takimit, palët u dakorduan që bashkëpunimi ndërshtetëror midis qeverisjes lokale në Hungari dhe qeverisjes lokale në Kosovë edhe në të ardhmen do të vazhdojë, në mënyrë që qeverisja lokale në Kosovë të zhvillohet dhe avancohet më tej, duke marrë parasysh edhe përvojat e shtetit hungarez si anëtar i Bashkimit Evropian.