Slobodan Petrovic: Si Ministër por edhe si Zëvendëskryeministër i Kosovës ju garantoj se në… 23 qershor 2011
Slobodan Petrovic: Si Ministër por edhe si Zëvendëskryeministër i Kosovës ju garantoj se në vazhdimësi do të ofroj mbështetje për ngritjen e kualitetit të shërbimeve komunale të cilat ndikojnë në mirëqenien e të gjithë qytetarëve.
Zëvendëskryeministër i Kosovës, njëherit Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, , z. Slobodan Petrovic me bashkëpunëtorë vizitoi komunën e Hanit të Elezit me ç’rast u prit nga kryetari i komunës z. Rufki Suma.
Fillimisht, Kryetari Rufki Suma informoi Zëvendëskryeministrin Petrovic lidhur me gjendjen e përgjithshme duke pasqyruar angazhimet, nevojat dhe sfidat me të cilat po përballen qytetarët e kësaj komune.
“Me gjithë përkushtimin që kemi, mirëpresim përkrahjen e institucioneve qendrore të Kosovës me qëllim që të përmirësohen shërbimet karshi qytetarëve tanë”, tha kryetari Suma.
Duke siguruar mbështetjen konkrete të MAPL-së, Ministri Petrovic tha se përkrahja e ofruar nuk nënkupton vetëm atë financiare por edhe në përfshirjen praktike të përfaqësuesve komunal në vizitat studimore, konferencat dhe seminaret e organizuara si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Më tej ai shtoi se realizimi i projekteve të përbashkëta pasqyron në mënyrën më të mirë angazhimin për realizimin e interesave të qytetarëve karshi nevojave që ata kanë.
“Jemi të vetëdijshëm se, me gjithë dëshirën që kemi, jo të gjitha kërkesat e qytetarëve mund të plotësohen menjëherë, por do të ndalemi në përmbushjen e prioriteteve ekzistuese. Për këtë qëllim ne si Ministri do të kontribuojmë me njëqind mijë euro në realizimin e projekteve të përbashkëta në të mirë të qytetarëve të kësaj komune”, tha Ministri Petrovic.
Mjetet e ofruara nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal për Komunën e Hanit të Elezit do të jenë pjesë e projektit për asfaltimin e rrugës në fshatin Dimcë në vlerë prej njëqind e tetëdhjetë mijë euro, ndërsa mjetet tjera do të sigurohen nga vet komuna.