Prishtinë, 21 Shtator 2018
Sot, me 21 Shtator 2018, në Prishtinë, nën organizimin e projektit rajonal “ Ngritja e rrjetit për forcimin e aftësive ripërtëritëse urbane nga fatkeqësitë në Evropën Juglindore SEE URBAN”, të përkrahur nga UNDP, po mbahet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes ndër–komunale për krijimin e rrjetit “Ripërtëritja nga fatkeqësitë Istog, Klinë, Malishevë dhe Pejë”.
Zëvendësministri i MAPL-së z. Beqir Fejzullahu me rastin e organizimit të kësaj ceremonie shprehi falënderimet dhe konsideratën për UNDP-në lidhur me përkrahjen e ofruar në drejtim të bashkëpunimit ndër – komunal për komunat: Istog, Klinë, Malishevë dhe Pejë, ku përmes nënshkrimit të kësaj marrëveshje synohet të forcohen kapacitetet e autoriteteve dhe institucioneve vendore me qëllim të zvogëlimit të rrezikut nga fatkeqësit natyrore, si dhe menaxhimit të rrezikut.
Ndër të tjera, z. Fejzullahu potencoi se “Bazuar në mandatin saj ligjor dhe kompetencat që ka Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal për koordinimin, avancimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të ligjshmërisë së komunave, në raport me marrëveshjes e bashkëpunimit ndër komunal, këtë vit në kuadër të ndarjes së mjeteve për investimet kapitale në komuna një ndër kriteret e vlerësimit e ka vendosur edhe fushën e bashkëpunimit ndër komunal për të mbështetur projekte nga komunat dhe natyrisht për të avancuar tutje fushën e bashkëpunimit ndër komunal mes komunave brenda territorit të Kosovës. Mbështetja e projekteve për bashkëpunim ndër komunal do të vazhdojë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit lokal edhe në të ardhmen.
Po ashtu, në këtë ceremoni kanë marrë pjesë edhe autoritetet e katër komunave përfituese, përkatësisht Istog, Klinë, Malishevë dhe Pejë.