Prishtinë, 29 tetor 2025
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka mbajtur takimin e parë të Grupit Punues për hartimin e Planit të Veprimit 2026–2028 për Partneritetin për Qeverisje të Hapur.
Në këtë takim morën pjesë anëtarët e grupit punues, të përbërë nga përfaqësues të Këshillit të Evropës, OSBE-së, eksperte të jashtme, përfaqësues të ministrive të linjës, të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile. Grupi punues do të udhëheqë dhe mbikëqyrë procesin e hartimit të planit të ri të veprimit në kuadër të Partneritetit për Qeverisje të Hapur.

Takimin e udhëhoqi z. Flurim Arifi, Kryesues i Grupit Punues dhe Drejtor i Departamentit për Digjitalizimin e Shërbimeve në Komuna në MAPL.
Z. Arifi prezantoi bazën ligjore që i jep kompetencë MAPL-së për realizimin e këtij aktiviteti, qëllimin e dokumentit që do të përgatitet, si dhe proceset konsultative që do të zhvillohen me mekanizmat institucionalë dhe jo-institucionalë në fushën e Partneritetit për Qeverisje të Hapur.
Në takim mori pjesë edhe znj. Veronica Cretu, konsulente nga Këshilli i Evropës për Qeverisjen e të Dhënave dhe Politikën e Inteligjencës Artificiale, e cila u kyç online.
Znj. Cretu prezantoi ecurinë e Partneritetit për Qeverisje të Hapur në Kosovë dhe planin e punës për hartimin e Planit të Veprimit 2026–2028, duke theksuar sfidat me të cilat është përballur Kosova gjatë zbatimit të planit të kaluar. Ajo paraqiti gjithashtu metodologjinë, afatet kohore dhe qasjen e re që do të ndiqet, me synim që plani i ri të ofrojë rezultate realiste, të matshme dhe të qëndrueshme.
Anëtarët e grupit punues u dakorduan me planin e punës dhe shprehën përkushtimin e tyre për të kontribuar në mënyrë aktive në hartimin e Planit të Veprimit të ri.
Në përfundim, u vendos që deri në takimin e ardhshëm, secili anëtar të shqyrtojë sektorët përkatës brenda institucioneve që përfaqëson, me qëllim identifikimin e nismave që mund të inkorporohen në Planin e Veprimit 2026–2028, si dhe përgatitjen e një drafti fillestar për diskutim në mbledhjen e radhës.