Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal njofton se më 24.03.2026 është zhvilluar takimi i radhës online lidhur me zbatimin e aktiviteteve të Planit dyvjeçar të Veprimit për Partneritet për Qeverisje të Hapur 2023–2025.
Në këtë kuadër, u mbajt takim me z. Taulant Hoxha, hulumtues i IRM ( Mekanizmi i Pavarur i Monitorimit ) angazhuar për hartimin e Raportit të Rezultateve për Kosovën. Gjatë këtij procesi, z. Hoxha do të zhvillojë intervista dhe do të kërkojë bashkëpunim për identifikimin dhe kontaktimin e personave të përfshirë në bashkë-krijimin dhe zbatimin e Planit të Veprimit 2023–2025, si dhe për sigurimin e dokumentacionit përkatës.
Takimi u zhvillua online me z. Flurim Arifi, Drejtor i Departamentit për Digjitalizimin e Shërbimeve në Komuna, së bashku me stafin e tij nga Divizioni për Partneritet për Qeverisje të Hapur (PQH). Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet dhe progresi në përmbushjen e obligimeve që rrjedhin nga Plani i Veprimit 2023–2025, si dhe të arriturat dhe hapat e mëtejmë në zbatimin e aktiviteteve të planifikuara. Gjithashtu, u diskutua edhe për planin e ri, i cili aktualisht është në proces të konsultimit publik.
Z.Hoxha, ndër të tjera, theksoi rolin e tij në këtë proces, duke nënvizuar se do të vazhdojë të takohet dhe të mbledhë informata nga të gjitha palët relevante që kanë qenë të përfshira në Planin e Veprimit.
Në përfundim të takimit, palët u dakorduan që bashkëpunimi të vazhdojë në ofrimin e informatave dhe ndarjen e dokumentacionit të nevojshëm me hulumtuesin, në mënyrë që të sigurohet një vlerësim sa më i plotë dhe transparent i zbatimit të zotimeve në kuadër të Planit të Veprimit të Kosovës 2023–2025.