Rregullorja Nr. 17/2024 për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal zbatohet për Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Detyrat dhe përgjegjësitë e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, përcaktohen me Shtojcën “9” të Rregullores së Qeverisë Nr. 14/2023 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive dhe me legjislacionin përkatës në fuqi.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (në tekstin e mëtejmë: MAPL) ka përgjegjësitë si në vijim:
1.Përgatit politika publike dhe legjislacion në fushën e vetëqeverisjes efikase komunale dhe për nxitjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin e vendimmarrjes në nivelin lokal dhe zbaton ato;
2.Promovon dhe afirmon të drejtën e organeve lokale për vetëqeverisje lokale në pajtim me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale;
3.Bashkërendon dhe promovon zhvillimin e reformës së pushtetit lokal;
4.Bashkërendon dhe përkrah bashkëpunimin ndërkomunal dhe ndërkufitar;
5.Mbikëqyrë cilësinë e shërbimeve komunale;
6.Identifikon dhe zhvillon programe për ngritjen e kapaciteteve institucionale të organeve të vetëqeverisjes lokale;
7.Promovon dhe zhvillon transparencën e organeve të vetëqeverisjes lokale;
8.Ofron këshilla dhe udhëzime ligjore për komunat;
9.Bashkërendon aktivitetet e agjencive ndërkombëtare dhe organizatave joqeveritare që kanë të bëjnë me komunat duke përfshirë koordinimin e agjendës evropiane për komuna;
10.Vlerëson ligjshmërinë e akteve të organeve komunale në bashkëpunim me ministritë përkatëse;
11.Monitoron dhe mbikëqyrë komunat gjatë zbatimit të përgjegjësive dhe kompetencave të tyre në bashkërendim me ministritë përkatëse;
12.Kontribuon në respektimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut nga organet e vetëqeverisjes lokale;
13.Kryen edhe detyra të tjera, që i caktohen ministrisë me legjislacionin përkatës në fuqi.