Prishtinë, 10 dhjetor 2021
Në mbledhjen e 47-të, të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me propozimin e Ministrit të MAPL-së z. Elbert Krasniqi, Qeveria aprovoi projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale dhe projektligjin për Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale.
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale që nga aprovimi fillestar i tij në vitin 2008 nuk është plotësuar dhe ndryshuar. MAPL, përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe duke u bazuar në nevojat e pushtetit lokal, ka propozuar ndryshimet e nevojshme të cilat synojnë funksionimin sa më të mirë të vetëqeverisjes lokal dhe Komunave në Republikën e Kosovës.
Funksionimi sa më i mirë i tyre, nënkupton edhe shërbime më të mira dhe jetë më kualitative për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ndërsa, projektligji për Sistemin e Menaxhimit të Performancës së Komunave dhe Skemave të Grantit të Bazuar në Performancë, i cili institucionalizon këtë skemë të financimit të komunave dhe ofron pavarësi nga çfarëdo ndikimi politik duke siguruar qëndrueshmëri të grantit për një periudhë afatgjate.
Efekti pozitiv i grantit të performancës u theksua për dy vite radhazi në Raportin e Progresit, duke u parafrazuar si shembull i mirë i financimit të komunave sipas kritereve meritore. Njëherësh, ky projektligj është edhe obligim në kuadër të MSA-së. Përmes aprovimit të këtij ligji i hapim rrugë zbatimit të skemës së Grantit të Performancës 2022-2025, të financuar nga Donatorët dhe Qeveria.
Pra, kësaj skeme përveç donatorëve tradicional Qeverisë së Zvicrës, Suedisë dhe Norvegjisë, do t’i bashkohet edhe Bashkimi Europian përmes fondeve IPA. Kjo nënkupton më shume fonde dhe projekte për Komunat e Kosovës.