Për Dita e Tokës, në lagjen Fidanisht në Mitrovicë kjo datë simbolike u shndërrua në një ditë konkrete veprimi në shërbim të mjedisit.
Ministri Elbert Krasniqi, së bashku me nënkryetarin Enis Osmani dhe banorët e lagjes, morën pjesë në një iniciativë që synon përmirësimin e kushteve të jetesës dhe rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen e mjedisit.
Aktivitetet përfshinë pastrimin e hapësirave publike, shpërndarjen e koshave për mbeturina, si dhe ndërhyrje konkrete për largimin e ujit nga podrumet e banesave, veprime këto që kontribuojnë drejtpërdrejt në një ambient më të pastër dhe më të shëndetshëm për qytetarët.
Ministri Krasniqi shprehu mirënjohje për ekipin komunal dhe të gjithë qytetarët e angazhuar për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë në këtë iniciativë të rëndësishme.











