Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Agon Batusha, mori pjesë në prezantimin e Raportit Tematik mbi Bashkëpunimin ndërmjet Komunave në Kosovë, të publikuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.
Gjatë fjalës së tij hapëse theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet komunave për rritjen e kapaciteteve, përmirësimin e shërbimeve dhe realizimin e projekteve me interes të përbashkët.
“Bashkëpunimi ndërkomunal duhet parë si një instrument praktik për zgjidhjen e problemeve që komunat i kanë të përbashkëta. Bashkimi i kapaciteteve mund të krijojë ekonomi të shkallës, të rrisë cilësinë e shërbimeve dhe të mundësojë realizimin e projekteve që një komunë e vetme do ta kishte më të vështirë t’i përballonte”, tha ndër të tjera Zëvendësministri Batusha.
Ai bëri të ditur se kjo qasje do të jetë pjesë e Strategjisë së re për Vetëqeverisje Lokale 2027–2031, me fokus në mbështetjen financiare dhe profesionale të komunave dhe në zhvillimin e projekteve konkrete ndërkomunale.

