Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Agon Batusha, dhe Sekretari i Përgjithshëm i MAPL-së, Jeton Qela, morën pjesë sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave për Reformën e Administratës Publike (KMRAP), të kryesuar nga Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu.
Në takim u diskutua progresi në zbatimin e reformës së administratës publike, me fokus të veçantë në funksionimin e institucioneve, planifikimin strategjik dhe përmirësimin e shërbimeve publike.
Nga perspektiva e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, në fokus ishte zbatimi i strategjisë aktuale dhe përgatitja e Strategjisë për Vetëqeverisje Lokale 2027–2031, së bashku me planin e veprimit përkatës.
Batusha dhe Qela theksuan rëndësinë e forcimit të kapaciteteve të nivelit lokal, rritjes së efikasitetit institucional dhe avancimit të shërbimeve për qytetarët, në mënyrë që reforma të reflektohet drejtpërdrejt në funksionimin më të mirë të komunave.
Në takim u shqyrtuan gjithashtu obligimet e mbetura nga proceset e reformës, nevoja për koordinim ndërinstitucional dhe hapat e mëtejshëm për zbatimin e angazhimeve të dakorduara.
Në përmbyllje, Këshilli miratoi konkluzionet me veprime, institucione përgjegjëse dhe afate konkrete, duke vendosur bazë të qartë për monitorimin e zbatimit të tyre.
MAPL mbetet e përkushtuar që reforma e vetëqeverisjes lokale të përkthehet në institucione më funksionale, më efikase dhe shërbime më të mira për qytetarët.


