Ceremonia e Ndarjes së Shpërblimeve për komunat e Kosovës

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë organizuan Ceremoninë e Ndarjes së Shpërblimeve për komunat partnere të projektit DEMOS.

Kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila pranoi çmimin nga kryeministri Isa Mustafa në ceremoninë e cila u organizua nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Zyra zvicerane për bashkëpunim në Kosovë. 7 Shtator 2016, Prishtinë

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë organizuan Ceremoninë e Ndarjes së Shpërblimeve për komunat partnere të projektit DEMOS

Kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila pranoi çmimin nga kryeministri Isa Mustafa në ceremoninë e cila u organizua nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Zyra zvicerane për bashkëpunim në Kosovë.

Kryeministri Mustafa tha se organizimi dhe funksionimi i mirëfilltë i komunave, është me rëndësi esenciale për qytetarët e Republikës së Kosovës, pasi kjo lehtëson jetën e qytetarëve, mundëson që infrastruktura të funksionojë më mirë, që shërbimet që ofrohen ndaj qytetarëve të jenë më të lehta, që ata të ndjejnë veten më mirë dhe që të sigurohet një administratë moderne në komuna dhe përgjithësi në Kosovë.

“Ne po punojmë me ngulm që brenda mandatit Qeverisës të orientohemi në investime kapitale për nevoja themelore të komunave tona dhe qytetarëve tanë, duke ndërtuar rrugë, ujësjellës, kanalizime, parqe, objekte të ndryshme për fëmijë dhe rini, sepse ndaj tyre kemi një nevojë që të kujdesemi në mënyrë të veçantë. Po ashtu, duke përkrahur projektet zhvillimore të cilat i kandidojnë komunat, sipas interesave dhe sipas përparësive të tyre”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, ka falënderuar përkrahjen e donatorëve, të cilët në mënyrë të pareshtur kanë bashkëpunuar dhe kanë përkrahur orientimet zhvillimore të komunave, duke shprehur nevojën që në të ardhmen në këtë projekt të përfshihet një numër më i madh i komunave.

Në konkurrencë me 16 komunat e tjera partnere të projektit DEMOS (www.helvetas-ks.org/demos), Komuna e Gjakovës ka arritur poashtu edhe vendin e parë në kategorinë Përmirësuesi më i mirë në shërbimet publike si dhe në kategorinë Përmirësuesi më i mirë.

Pas Komunës së Gjakovës, Komuna e Pejës dhe ajo Shtimes janë renditur e dyta, përkatësisht e treta në kategorinë Performuesi më i mirë.

Zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Bajram Gecaj tha se grantet të cilat ndahen për komunat, bazohen në kriteret e performancës në ofrimin e shërbimeve komunale, shkallën e inkasimit të tatimit në pronë, si dhe në nivelin e zbatimit të grantit të ndarë nga vitet praprake dhe se nga komunat partnere, kriteret  për marrje të granteve i kanë përmbushur 12 komuna, ndërsa 5 të tjera ende nuk kanë arritur t’i realizojnë ashtu siç janë përcaktuar paraprakisht.

“Monitorimi i ofrimit të cilësisë së shërbimeve, duhet të kuptohet si qëllim i përbashkët dhe përkrahje për komunat në njërën anë, duke nxitur ndonjëherë edhe konkurrencën mes tyre, dhe në anën tjetër të ndikojë në ofrimin e shërbimeve efikase dhe cilësore për qytetarët “, tha Zëvendësministri Bajram Gecaj.

Në kategorinë Përmirësuesi më i mirë në demokracinë lokale, Komuna e Pejës dhe ajo Gjakovës kanë ndarë vendin e parë, ndërsa Komuna e Novobërdës u rendit e treta.

Komuna e Lipjanit dhe ajo e Rahovecit u renditën e dyta, përkatësisht e treta në kategorinë Përmirësuesi më i madh në Shërbimet publike. Komuna e Lipjanit u shpërblye si komuna e dytë në kategorinë Përmirësuesi më i mirë ndërsa komuna e Novobërdës u shpërblye me vendin e tretë në këtë kategori.

Z. Patrick Etienne, drejtor i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, theksoi se ceremonia e ndarjes së granteve tregon se komunat e Kosovës janë duke bërë përparim në drejtim të ofrimit të shërbimeve dhe qeverisjes së mirë.

Ai shtoi se  “ne inkurajojmë komunat dhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për të vazhduar përmirësimin e performancës së tyre dhe të sistemit të menaxhimit të performancës. Është ambicie e jona që në të ardhmen të zgjerojmë sistemin e granteve të bazuar në performancë në të gjitha komunat e Kosovës. Donatorë të tjerë ndërkombëtarë si dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal janë duke menduar në një drejtim të ngjashëm”, tha z Etienne.

Gjatë ceremonisë, dymbëdhjetë komunat partnere të projektit DEMOS kanë pranuar grante. Këtë vit 1,5 milionë euro janë ndarë në bazë të të dhënave të performancës së komunave që janë marrë nga sistemi i menaxhimit të performancës të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, të dhënat mbi mbledhjen e tatimin në pronë nga Ministria e Financave si dhe raporti vjetor i auditimit  të komunave nga Auditorit Gjeneral.