17 Shtator 2021, Prishtinë
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) në bashkëpunim me partnerët e saj, Ambasadën e Japonisë në Kosovë dhe Bankën Botërore kanë nisur projektin “Komunat për të Rinjtë në Kosovë” (M4Y) në një ceremoni të organizuar publikisht duke respektuar rreptësisht masat anti-Covid -19. Kjo ngjarje u zhvillua në prani të Kryeministrit të Kosovës, z. Albin Kurti, Ministrit të MAPL, z. Elbert Krasniqi, të Ngarkuarit me Punë të Ambasadës së Japonisë në Kosovë, z. Mitsunori Ogasawara, Menaxherit të Bankës Botërore Zyra në Kosovë, z. Massimiliano Paolucci, kryetarëve të komunave të përzgjedhura, partnerëve zbatues të projektit dhe mediave.
Kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij hyrëse deklaroi se “Si Kryeministër, jam i lumtur që sot ne po ndajmë vizionin tonë të përbashkët për të krijuar mundësi të reja për të rinjtë tanë, për të mbështetur komunat e përzgjedhura në bashkëpunimin me të rinjtë në adresimin e nevojave të tyre lokale. Ne jemi të lumtur që në këtë vizion të përbashkët, kemi gjetur mbështetje të pakrahasueshme nga partnerët tanë strategjikë. Qeveria do të jetë bashkëpunuese dhe do të lehtësojë qëllimet tona të përbashkëta – avancimin e rolit të të rinjve në vend”.
Zëvendëskryeministrja Emilija Redzepi shprehu mirënjohjen për donatorët e projektit dhe gjithashtu theksoi se është e lumtur që është në këtë ceremoni, ndërsa ka parasysh se ky projekt u inicua gjatë qeverisë Kurti 1, dhe ajo ka qenë shumë aktive në mbështetjen dhe promovimin e tij.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Elbert Krasniqi falënderoi Qeverinë Japoneze dhe Bankën Botërore, duke theksuar se “Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka mobilizuar mbështetjen e partnerëve, që gjatë kësaj periudhe të vështirë përballë pandemisë Covid-19, kapaciteti i Ministrisë të fokusohet në arritjen e objektivave të saj strategjike, me fokus në mbështetjen e komunave dhe komunitetit rinor. Duke pasur parasysh që mosha mesatare e popullsisë në Kosovë është 26 vjeç, me përqendrimin më të lartë në grupmoshën 15-24 vjeç – ky fakt e ka shtyrë institucionin tonë të krijojë mundësi që ndikojnë në ngritjen e kapaciteteve të kësaj grupmoshe. Projekti “Komunat për të Rinjtë” është mundësia më e mirë që iu është dhënë dhjetë komunave në mbështetjen e 3000 të rinjve nga grupet e margjinalizuara. Kjo do t’u mundësojë komunave të përzgjedhura që të adresojnë nevojat socio-ekonomike të të rinjve përmes nismave dhe shërbimeve të synuara dhe kështu të përmirësojnë bashkëpunimin e ndërsjellë”.
Në anën tjetër, i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, z. Mitsunori OGASAWARA, theksoi se “përmes mbështetjes së marrë nga Fondi Japonez për Zhvillimin Social, Ambasada Japoneze është e kënaqur që Japonia mund t’i mbështesë të rinjtë në Kosovë për t’i zhvilluar aftësitë e tyre të analizës dhe zgjidhjes së problemeve. Sepse janë të rinjtë ata që formojnë të ardhmen e vendit. Duke marrë aftësitë dhe përvojën për menaxhim të projektit, ne shpresojmë se ata do të bëhen agjentë për të avancuar Kosovën në të ardhmen e afërt”.
Për të theksuar më tej rëndësinë e projektit të të rinjve, Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën, z. Massimiliano Paolucci theksoi se “Komunat për të Rinjtë janë një ndërhyrje në kohë pasi do të mundësojë që komunat përfituese të zgjerojnë programet e tyre rinore në një kohë të presioneve të larta buxhetore. Jam i inkurajuar nga angazhimi i madh i Qeverisë dhe komunave për të vepruar si lehtësues për fuqizimin dhe përfshirjen socio-ekonomike të të rinjve të margjinalizuar”.
Në ceremoni gjithashtu u theksua se projekti “Komunat për të Rinjtë në Kosovë”, i cili u miratua nga Banka Botërore më 20 shtator 2019 do të zbatohet në dhjetë komuna që janë përzgjedhur bazuar në rezultatet e Raportit të Performancës Komunale 2019, i cili tregon performancën e komunave në 19 fusha të kompetencës nën përgjegjësinë e tyre. Komunat e përzgjedhura janë:
Gllogoci/Glogovac, Hani i Elezit/Elez Han, Rahovec/Orahovac, Skenderaj/Skenderaj, Vushtrri/Vučitrn, Junik/Junik, Kaçanik/ Kačanik, Ferizaj/Uroševac, Ranillug/Ranilug and Zveçan/ Zvečan.
Projekti M4Y është një grant prej 2.79 milionë dollarësh i financuar nga Qeveria e Japonisë përmes mbështetjes së marrë nga Fondi Japonez për Zhvillimin Social i administruar nga Banka Botërore.
Objektivi i M4Y është të përmirësojë përfshirjen socio-ekonomike të të paktën 3,000 të rinjve të margjinalizuar në komunitetet e cenueshme në Kosovë përmes angazhimit qytetar të nxitur nga të rinjtë dhe aktivitetet e zhvillimit të aftësive. Dhjetë (10) komuna do të përfitojnë nga ngritja e kapaciteteve dhe do të përfshihen në një program për subgrante që do t’i lejojë ata të zgjerojnë programet e tyre rinore dhe t’u përgjigjen më mirë nevojave të të rinjve në nivelin lokal.