Fushata informuese e Ministrisë se Administrimit të Pushtetit Lokal e nisur sot me shpërndarjen e lifletave informuese në gazetat ditore, do të vazhdojë me transmetimin e spoteve televizive në mediet nacionale dhe lokale të Kosovës dhe një varg aktivitetesh mediale që paralelisht do të përcillen me organizimin e punëtorive me përfaqësues të komunave në të gjitha regjionet e Kosovës.
08 maj 2013, Prishtinë
Fushata informuese e Ministrisë se Administrimit të Pushtetit Lokal e nisur sot me shpërndarjen e lifletave informuese në gazetat ditore, do të vazhdojë me transmetimin e spoteve televizive në mediet nacionale dhe lokale të Kosovës dhe një varg aktivitetesh mediale që paralelisht do të përcillen me organizimin e punëtorive me përfaqësues të komunave në të gjitha regjionet Kosovës.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me organizatën jo- qeveritare Cult CIub, organizoi sot tryezën për transparencë në Komuna me rastin e fillimit të fushatës së MAPL-së që pati për qëllim diskutimet e përbashkëta lidhur me të drejtën e qytetarit për informacion duke u bazuar në Zbatimin e Ligjit për Qasje në Dokumentet Publike dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.
Në tryezë morën, përfaqësues nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Kuvendi i Kosovës, Qeveria, Asociacioni i komunave të Kosovës, përfaqësues nga shoqëria civile dhe përfaqësues të medieve të Kosovës.
Në fjalën e tij hyrëse, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Besnik Osmani tha se nga viti në vit komunat kanë shënuar avancim në këtë drejtim por MAPL synon që kjo fushë të avancohet edhe më shumë.
“Qëllimi ynë është që ta bëjmë qytetarin pjesë të pandashme të punës dhe vendimmarrjes në komuna nëpërmjet realizimit të takimeve të hapura publike dhe konsultuese para marrjes së vendimeve dhe lehtësimin e procedurave për t’u përgjigjur kërkesave për qasje në dokumente publike” – theksoi Sekretari, Besnik Osmani.
Duke prezantuar të dhënat nga raportet e MAPL-së, ai tha se numri më i madh i kërkesave për qasje në dokumente publike në komuna është evidentuar nga partitë politike dhe OJQ-të e ndryshme, ndërsa dokumentet më të kërkuara janë: shpenzimet në buxhet, vendimet e Kuvendit të Komunës, konkurset dhe kontrata.
Për problemet kryesore të evidentuara në Komuna, z. Osmani tha se në disa komuna qytetarët janë përjashtuar nga kjo e drejtë nga neglizhenca e zyrtarëve në punën e tyre duke mos ju ofruar qasje personave të cilët kërkojnë këto dokumente, ndërsa janë evidentuar raste kur kërkohen dokumente të cilat edhe nga aspekti ligjor kanë mbushur kohën e vjetërisë dhe mund të asgjësohen.
Në tryezën e organizuar sot nga MAPL, folën përfaqësues të institucioneve publike, lokale dhe medieve: Xhevahire Izmaku, Deputete e Kuvendit të Kosovës – Komisioni për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Qemajl Mustafa, z. Bekim Demiri nga Agjencioni për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Sazan Ibrahimi nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, z. Petrit Zogaj, nga organizata FOL, z. Faik Ispahiu nga BIRN, z. Asdren Osaj, Zëdhënës i komunës së Prishtinës, z. Bekim Kupina nga Koha Ditore dhe përfaqësues të tjerë.
Sfidat kryesore të paraqitura nga përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe medieve nga diskutimet në tryezë ishin të fokusuara në afatet e gjata kohore për ofrimin e informatës për palët e interesuara që përfshijnë periudhën prej 7 deri në 14 ditë, dokumentet që merren nga institucionet publike janë selective dhe jo të plota.
Një element tjetër i paraqitur si pengesë për gazetarët dhe shoqërinë civile gjatë qasjes në dokumente publike ishte edhe interpretimi i Ligjit për Mbrojtjen e të dhënave Personale lidhur me publikimin e faturave të zyrtarëve publik.
Ndërsa udhëheqësit komunal, si sfidë kryesore theksuan prezantimin e dokumenteve nga palët që kërkojnë qasje në dokumente publike, sepse sipas tyre ekzistojnë raste kur përdoren me qëllime tendencioze.