Finalizohet Plani i Punës së MAPL-së për vitin 2018

Me datë 9 dhe 10 Dhjetor 2017, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me HELVETAS/DEMOS, organizuan këshillimin e përbashkët për hartimin e Planit të Punës së MAPL-së për vitin 2018.

Këshillimi kishte për qëllim koordinimin e realizimit të aktiviteteve për vitin 2018 dhe ndërlidhjen e tyre me dokumentet strategjike në nivel vendi, përfshirë: Strategjinë për Vetëqeverisje Lokale 2016-2026, Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2016-2021, PKZMSA-në, Programin 4-vjeçar të Qeverisë dhe dokumente të tjera strategjike.

Rozafa Ukimeraj, Sekretare e Përgjithshme në MAPL, para të pranishmëve prezantoi punën e Ministrisë për vitin 2017, duke e karakterizuar si vit të punës dhe suksesit, por edhe të sfidave të paraqitura gjatë vitit.

Departamentet dhe njësitë organizative të MAPL-së, përgjatë dy ditëve prezantuan planet e tyre punës, si dhe zhvilluan diskutime duke ofruar kontributin e tyre profesional me qëllim të harmonizimit dhe koordinimit të aktiviteteve për vitin 2018.

Punëtoria është përmbyllur suksesshëm duke arritur finalizimin e Planit të Punës së MAPL-së për vitin 2018.