Duke ju dëshiruar mirëseardhje, kam nderin që në cilësinë e Zëvendës Kryeministrit dhe Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, në patronatin e të cilës mbahet kjo konferencë, të bëj hapjen zyrtare të punimeve të Konferencës së III-të Ndërkombëtare për Vetëqeverisje Lokale, duke Ju falënderuar për pjesëmarrjen dhe kontributin dhe duke ju dëshiruar suksese gjatë punimeve të saj.
I nderuar Kryeministër Thaqi,
Të nderuar ministra e deputetë,
Të nderuar Kryetarë të Komunave,
Ambasadorë e përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Kosovë,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve civile e ushtarake
Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave,
Të nderuar pjesëmarrës
Duke ju dëshiruar mirëseardhje, kam nderin që në cilësinë e Zëvendës Kryeministrit dhe Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, në patronatin e të cilës mbahet kjo konferencë, të bëj hapjen zyrtare të punimeve të Konferencës së III-të Ndërkombëtare për Vetëqeverisje Lokale, duke Ju falënderuar për pjesëmarrjen dhe kontributin dhe duke ju dëshiruar suksese gjatë punimeve të saj.
Unë kam kënaqësinë dhe nderin që kam të pranishëm sot këtu personalitete të shumta politike, akademike e profesionale nga vendi dhe nga shumë shtete mike të Kosovës. Më lejoni të falënderojë për prezencën dhe angazhimin në këtë konferencë: Ministrin e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale në Republikën e Maqedonisë z. Nevzat Beja, Zëvendës Ministrin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë z. Ferdinant Pone, Ndihmës Ministrin e Ministrisë së Administratës Publike të Republikës së Kroacisë z. Boris Milosevic, Anëtarin e Parlamentit dhe ish-ministrin e Qeverisjes Lokale në Mbretërinë e Bashkuar z. Nick Raynsford, Përfaqësuesin e Ministrisë së Administratës Publike nga Republika e Sllovenisë Zj. Nevenka Vratanar, mysafirët e lartw nga qytetet e Zagrebit, Lublanës, Shkupit, Shkodrës, Kukësit, Ulqinit etj dhe me respekt po aq të veçantë të gjithë ekspertët ndërkombëtar të 8 shteteve mysafire që do të kontribuojnë me kumtesat e tyre në këtë konferencë.
Për dallim nga të dy vitet e kaluara, kjo konferencë do të karakterizohet me pjesëmarrje më të gjerë të ekspertëve nga fusha e qeverisjes lokale nga shtetet relevante pjesëmarrëse dhe se këtë vit përherë të parë në historinë e vetëqeverisjes lokale në Kosovë, si pjesë e konferencës organizohet Panairi i Komunave, duke mundësuar kështu që të promovohen para mysafirëve dhe qytetarëve të Kosovës, produktet dhe vlerat e tyre.
Ne jemi të interesuar dhe mirëpresim angazhimin tuaj në këtë konferencë, me qëllim të shkëmbimit të përvojave me njëri-tjetrin, drejt forcimit dhe avancimit të vetëqeverisjes lokale në Kosovë, në vendet Tuaja e në Evropë, duke respektuar dhe implementuar parimet evropiane për vetëqeverisjen lokale dhe duke respektuar vlerat dhe traditat tona lokale.
Të nderuar pjesëmarrës
Kosova nga viti 1999 e këndej i ka kushtuar kujdes të veçantë krijimit dhe forcimit të pushtetit lokal, fillimisht me kompetenca të kufizuara, e deri në ditët e sotme ku komunat kanë një autonomi të konsiderueshme të vetëqeverisjes.
Kosova ka pasur parasysh dhe ka pranuar në tërësi Kartën e Evropiane për Vetëqeverisje Lokale. Ne kemi pranuar dhe implementuar me sukses Planin Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, të propozuar nga Presidenti Ahtisari, proces që u përmbyll solemnisht po këtë javë nga institucionet e Kosovës dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.
Kosova ka përfshirë në Kushtetutën e saj parimet kryesore të vetëqeverisjes lokale dhe ka përkthyer në ligjet e saj principet më të avancuara të organizmit të pushtetit lokal.
Ne kemi parasysh se decentralizimi është një nga parimet më themelore të një sistemi demokratik, një nga kushtet më vendimtare për të siguruar një qeverisje efikase dhe në të mirë qytetarëve kosovarë. Është një shteg i pashmangshëm për të zhvilluar demokracinë lokale, integruar komunitetet dhe përmisuar cilësinë e shërbimeve publike karshi qytetarëve tanë.
Sigurisht, që gjatë realizimit të synimeve tona, vështirësitë kanë qenë të shumta dhe reale. Projekti ynë ka qenë shumëdimenzional: politik, administrativ, funksional dhe fiskal. Si synim me kishim që të realizojmë një decentralizim të gjerë dhe gjithëpërfshirës, nga themelimi i komunave të reja dhe llogaridhënies, deri në fushën e pavarësisë financiare dhe administrative të komunave.
Të nderuar miq,
Ne kemi mësuar se suksesi i decentralizimit nuk varët vetëm nga përkushtimi i Qeverisë për reformat. Në esencë po aq shumë, varët nga fakti se si strukturat lokale dhe qytetarët në terren e përqafojnë këtë proces. Ky konstatim mund të ilustrohet më mirë se kudo tjetër me suksesin e arritur në komunat Gracanicës, Kllokotit, Junikut apo Mamushës, ku Qeveria, strukturat lokale dhe qytetarët ishin bashkë në implementimin e projektit, për dallim ku përkundër faktit që Qeveria e Kosovës në vazhdimësi dhe me përkushtim ka punuar edhe në krijimin e plotë të parakushteve për themelimin e Komunës së Mitrovicës Veriore, dhe procesi ka rezultuar suksesshëm me themelimin e Zyrës Administrative në Mitrovicën e Veriut ende mbetet punë që qytetarët të kuptojnë përfitimet që sjell ky proces i decentralizimit dhe të participojnë në jetën politike e institucionale për të mirën e komuniteteve që jetojnë në këtë trevë.
Pra, kjo reformë, në përvojën tonë nuk mund të paraqitet e vetme si një reformë qeveritare por si një reformë që përfshin kontributin dhe eksperiencën e gjithë aktorëve të përfshirë në proces; qeverisë qendrore dhe të zgjedhurve lokal, shoqërisë civile dhe donatorëve apo komunitetit ndërkombëtar.
Të nderuar pjesëmarrës,
Ne konsiderojmë që procesi i modernizimit të vetëqeverisjes lokale është i vazhdueshëm në të gjitha poret e saj dhe që përfshin një sistem adekuat zgjedhor, kompetenca të bollshme dhe me burime financiare të qëndrueshme, administratë profesionale dhe me përdorim të teknologjisë së avancuar.
Një mënyrë për t’i arritur këto është edhe duke shkëmbyer përvojat tona. Prandaj kjo konferencë është një vend ideal për të mësuar nga njëri-tjetri. Të shfrytëzojmë këtë shans bashkërisht.
Të nderuar pjesëmarrës,
Sot, ne jemi duke i gëzuar ditët e para të përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Dhe ka skeptik rreth nesh, që e shohin me pesimizëm që këto të arritura që i kemi bërë bashkërisht me komunitetin ndërkombëtar në fushën e qeverisjes lokale mund të degjenerohen. Një shembull konkret që rrëzon këto mendime të skeptikëve është po kjo konferencë. Ne vazhdojmë të ruajmë dhe zhvillojmë tutje vlerat që i kemi përqafuar. Vlera për të rritur demokracinë, efikasitetin e institucioneve, respektimin e traditës dhe gjuhës së komuniteteve mes nesh dhe për të projektuar e realizuar ide që rrisin kualitetin e jetës sonë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë.
Mysafirë të nderuar,
Ne kemi evidentuar edhe sfidat tona. Jemi të vetëdijshëm edhe për problemet me të cilat po ballafaqohen komunat apo vështirësitë në të cilat po hasim bashkërisht drejt realizimit të synimeve tona. Këtu duhet të përmendim numrin apo shtimin e pakontrolluar të punonjësve në administratën komunale, buxhetet e limituara për komunat, resurset e pamjaftueshme të tokës dhe menaxhimi i saj, apo nivelin e pamjaftueshëm të zhvillimit lokal ekonomik. Mirëpo, këto nuk duhet të jenë shkas për ngecje të veprimtarive komunale, por për përkundrazi, autoritet e komunave duhet që të punojnë në bazë të rrethanave aktuale dhe në vazhdimësi të kërkojnë mundësi dhe përkrahje nga partnerët tanë vendor dhe ndërkombëtar.
Pra, të punojmë drejtë forcimit të rolit të komunave që të kenë pavarësi të gjerë në veprimtarinë e tyre.
Shpresoj, se nga kjo konferencë të kemi sa më shumë rezultatet nga punimet e çdo sesioni, dhe të nxjerrim konkluzione të cilat do të na ndihmonin në realizimin e synimeve strategjike.
Ne u bëmë thirrje të gjithë qytetarëve edhe nga kjo konferencë, që të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës, duke ju garantuar se puna e këtyre institucioneve shkon vetëm në dobi të tyre duke u përmirësuar jetën e tyre dhe familjeve të tyre, ta kuptojmë se këtu është ardhmëria e jonë dhe e fëmijëve tanë.
Po thuajse në fund duke qenë kjo konferencë është aktiviteti i parë publik pas mbylljes së Zyrës Civile Ndërkombëtare, të falënderoj me shumë mirënjohje gjithë stafin e saj që ka punuar me ne gjatë gjithë këtyre viteve në procesin e decentralizimit dhe reformës së pushtetit lokal në Kosovë, njeriun e parë të kësaj zyre z. Piter Feith.
Në fund dua të falënderojë Zyrën e Komisionit Evropian në Prishtinë, për organizimin e pwrbashkwt tw kësaj konference.
Organizimi i kësaj konference do të ishte i pamundur pa bashkëpunimin e shkëlqyer të Asociacionit të Komunave të Kosovës. Prandaj dua të nënvizojë se kjo simbolikë e bashkëpunimit në mes Qeverive nacionale dhe Qeverive Lokale është shembulli më i mirë i garantimit të suksesit.
Ju faleminderit shumë për vëmendjen dhe paçi punë të mbarë në punimet e Konferencës!