Zëvendëskryeministri dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Sllobodan Petroviq, është shprehur i gatshëm të takohet me kryenegociatorin serb për bisedime me Prishtinën, Borko Stefanoviq. 10 maj 2011, Prishtinë
Me Stefanoviqin takohem si zëvendëskryeministër i Kosovës
-Politika po e pengon përmirësimin e jetesës në veri
-Procesi i decentralizimit nuk është i lidhur vetëm me krijimin e Komunës së Mitrovicës së veriut
-Bashkësia ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës janë duke investuar fonde të mëdha në veri
Prishtinë, 9 maj
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Sllobodan Petroviq, është shprehur i gatshëm të takohet me kryenegociatorin serb për bisedime me Prishtinën, Borko Stefanoviq.
“Mendoj se Stefanoviq ka për qëllim promovimin personal në radhë të parë dhe se, mendimet e bashkëbiseduesve të tij janë në radhë të dytë. Gatishmëria ime për takim nuk është në dyshim. Megjithatë, nuk jam bërë ministër për t’u turpëruar nga askush. Me z. Stefanoviq isha takuar si ministër i MAPL-it dhe si zëvendëskryeministër i Kosovës”, ka thënë për “Epokën e re” ministri Petroviq.
Ndër të tjera, Petroviq ka shprehur besimin se bisedimet që po zhvillohen në mes të Prishtinës dhe Beogradit do të sjellin rezultate të caktuara, të cilat do të jenë në interes të qytetarëve të të dy vendeve. Ai ka bërë me dije se këto rezultate do të shihen në një të ardhme shumë të afërt.
Zëvendëskryeministri i Kosovës ka folur edhe për mbarëvajtjen e procesit të decentralizimit dhe për sfidën kryesore të këtij procesi, themelimin e Komunës së Mitrovicës së veriut. Sipas Petroviqit, procesi i decentralizimit nuk është i lidhur vetëm me krijimin e Komunës së Mitrovicës së veriut, por edhe me arritjen e standardeve evropiane. Ai ka shprehur keqardhje se si politika po e pengon përmirësimin e standardeve të jetesës në veri.
"Epoka e re”: Z. Petroviq, që nga koha kur jeni zgjedhur ministër keni vizituar pothuajse çdo komunë. Çfarë problemesh keni identifikuar?
Petroviq: Në çastin që jam zgjedhur ministër i MAPL-it kisha për qëllim për t’u bindur personalisht për problemet e komunave në Kosovë. Problemet e komunave nuk janë të reja. Ato kanë mungesë të buxhetit, mungesë të kapaciteteve. Unë mendoj se ka sfida të mëdha në infrastrukturë në, pothuajse, të gjitha komunat e Kosovës. Gjithashtu, besoj se krijimit të rrjetit të kanalizimit në Kosovë komunat duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje, sepse ai me siguri do të kontribuojë në standardet evropiane në Kosovë. Mjedisi është lënë pas dore. Komunat mund të veprojnë në të në çdo aspekt, edhe në edukimin e popullatës, edhe në rregullimin e mjedisit.
"Epoka e re”: Sa jeni i kënaqur me bashkëpunimin e kryetarëve të komunave të reja?
Petroviq: Jam shumë i kënaqur, sidomos duke marrë parasysh se disa komuna janë formuar kohë më parë dhe ato veprojnë në një mjedis shumë të veçantë. Mendoj se qytetarëve të këtyre komunave u është lehtësuar jeta e përditshme. Ky nuk është vlerësimi im, por i qytetarëve. Këtë e dëshmon numri i serbëve të Kosovës, të cilët kanë dalë në zgjedhjet e fundit. Kjo dalje apo pjesëmarrje e qytetarëve u parapri nga një proces shumë i suksesshëm i decentralizimit.
"Epoka e re”: Deri ku ka shkuar ky proces?
Petroviq: Procesi i decentralizimit është procesi më i ri në jetën demokratike në Kosovë. Janë katër komuna të reja funksionale, plus komuna e zgjeruar e Novo Bërdës. Një nga sfidat më të mëdha është procesi që ende nuk është bërë, krijimi i komunës së Mitrovicës së veriut. Në të njëjtën kohë, përveç formimit të komunave të reja, është duke u punuar në forcimin e kapaciteteve të komunave të vjetra, në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për të drejtat e tyre në komunat ku ata jetojnë si dhe alokim shtesë të fondeve të MAPL-së që po u jepet komunave për funksionim të tyre më të mirë. MAPL-i është në dispozicion për komunat në çdo kuptim, si për kontribut financiar, gjithashtu për një paraqitje të përbashkët nga ana e komunave dhe MAPL-it para komunitetit të donatorëve.
"Epoka e re”: Kur do t’i vijë fundi procesit të decentralizmit?
Petroviq: Kjo është një çështje që ka të bëjë me rrethanat në të cilat unë nuk mund të ndikoj, as ministria. Procesi i decentralizimit nuk është i lidhur vetëm me krijimin përfundimtar të Komunës së Mitrovicës së veriut, por edhe me arritjen e standardeve evropiane. Shpesh mediet e lidhin procesin e decentralizimit ekskluzivisht për krijimin e komunave të reja, pa e marrë në konsideratë realizimin e hapave konkretë në rrugën evropiane dhe aspiratat e Kosovës në BE. Nëpërmjet punës së komunave dhe forcimin e komunave do të forcohen pothuajse të gjitha aspektet e jetës së përditshme, e cila është baza për arritjen e integrimit evropian. Më vjen shumë keq se ndonjëherë politizimi është primar në krahasim me përmirësimin e standardeve të jetesës dhe vetë qytetarit të Kosovës pa dallim të përkatësisë etnike, fesë dhe gjinisë.
"Epoka e re”: Një ndër problemet kryesore konsiderohet krijimi i komunës në veri të Mitrovicës. Deri ku ka ecur ky proces?
Petroviq: Politizimi është shumë i theksuar, pikërisht në veri të Kosovës. Ky është problemi për krijimin e Komunës së Mitrovicës veriore. Ky proces është në fillim. Aktualisht në veri operon ekipi përgatitor, por me kufizime. Mendoj se ata japin kontributin e vet aq sa munden. Ky është një proces i ndjeshëm dhe është padyshim një detyrë që nuk mund të zgjidhet brenda natës. Shumë gjëra kanë ndodhur në veri në 12 vjetët e fundit dhe disa rrethana në tërësi kanë krijuar pakënaqësi në mesin e qytetarëve të veriut. Përveç politikës, aty ka mungesë të sundimit të ligjit. Ajo hapësirë që ishte krijuar, nga paaftësia për të zbatuar çdo ligj, forcoi shumë elementet radikale në veri që, përveç politikës së pushtetit, tani kanë edhe fuqinë financiare.
"Epoka e re”: Qeverisja në tri komunat veriore të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit është e minuar nga mungesa e legjitimitetit të institucioneve lokale, që është rezultat i zgjedhjeve ilegale të majit 2008, të organizuara nga Beogradi dhe nga mungesa e pjesëmarrjes së këtyre komunave në zgjedhjet e 15 nëntorit 2009. Keni ndonjë plan se si do të veprohet në këto komuna?
Petroviq:Veprimet tona aktualisht janë duke u bërë nga ana e ekipit përgatitor. Ekipi përgatitor ishte ai i cili duhet t’i vendosë themelet për krijimin e komunës së re. E gjitha që po ndodh në veri është e lidhur me MAPL-in dhe ka një rrjedhë të caktuar. Ajo nuk është në një nivel të lartë, por po bëhen përpjekjet më të mëdha të mundshme për t’i lëvizur gjërat dhe për t’u dhënë atyre një formë.
"Epoka e re”: Keni informacione se çfarë po ndodh me strategjinë për veriun?
Petroviq: Mund të flas vetëm në lidhje me planet e MAPL-it.
"Epoka e re”: Sa e keni përkrahjen ndërkombëtare për normalizimin e gjendjes në veri?
Petroviq: Bashkësia ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës janë duke u përpjekur dhe investuar fonde të mëdha në veri të Kosovës. Mund t’ju konfirmoj se ne si ministri kemi bashkëpunim shumë të ngushtë me Zyrën Civile Ndërkombëtare, USAID-in, Bashkimin Evropian dhe të gjithë ata që ua dëshirojnë të mirën qytetarëve në veri.
"Epoka e re”: Para disa ditësh keni qëndruar në një vizitë zyrtare në Mal të Zi. Kur pritet vendosja e marrëdhënieve me këtë shtet në nivel ambasadorësh?
Petroviq: Bisedimet janë duke u zhvilluar dhe aktualisht po punohet shumë për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Malin e Zi, por për detaje ju duhet t’i kontaktoni kolegët nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.
"Epoka e re”: Dialogu teknik me Beogradin është duke vazhduar. Prisni ndonjë përparim në këtë drejtim?
Petroviq: Dua të besoj se këto diskutime do të sjellin rezultate të caktuara të cilat do të jenë në interes të qytetarëve tanë. Unë besoj se proceset kyçe janë duke ndodhur në Ballkan dhe integrimet evropiane kanë lënë gjurmën e tyre. Bashkimi Evropian nuk dëshiron shtete me marrëdhëniet politike të parregulluara në kufijtë e tyre. Është ky parim që, të them, "i ka detyruar" të gjitha anët të ulen dhe të bisedojnë për çështjet që kanë të bëjnë me qytetarin dhe standardet e jetesës. Tani, se si të gjithë do të jenë këmbëngulës në atë, ne do të shohim, por sinqerisht shpresoj të na sjellë rezultate në një të ardhme shumë të afërt.
"Epoka e re”: Kryenegociatori serb për bisedime me Prishtinën, Borko Stefanoviq, ka paralajmëruar se do ta vizitojë Kosovën. Jeni i gatshëm si ministër i Qeverisë së Kosovës ta takoni?
Petroviq: Sa i përket vizitës, mendoj se Stefanoviq ka për qëllim promovimin personal, në radhë të parë dhe se, për atë, mendimet e bashkëbiseduesve të tij janë në radhë të dytë. Gatishmëria ime për takim nuk është në dyshim. Megjithatë, nuk jam bërë ministër për t’u turpëruar nga askush. Me z. Stefanoviq isha takuar si ministër i MAPL-it dhe zëvendëskryeministër i Kosovës. Roli im është publik dhe transparent.
"Epoka e re”: Z. Petroviq, keni ndonjë propozim sa i përket ndryshimit të Ligjit të Zgjedhjeve?
Petroviq: Ngjarjet e fundit në Kosovë dhe kriza që u shfaq në lidhje me zgjedhjen e presidentit na japin disa mësime që duhet t’i nxjerrim. Megjithatë, nuk dua të ndërhyj në detajet se si duhet të duket një ligj i ri.
"Epoka e re”: Deri më tash komunitetet në Kosovë i kanë pasur të rezervuara 20 vende në Kuvend. Mendoni se edhe në zgjedhjet e ardhshme duhet të respektohet ky parim?
Petroviq: Po, ky parim i përmbush kriteret e larta të Bashkimit Evropian dhe është një nga parimet më të avancuara të demokracisë moderne. Kjo është, sigurisht, një mënyrë që siguron sigurinë e komuniteteve pakicë dhe se është interes i të gjithë shoqërisë së Kosovës, e cila e jep fjalën e vet demokratike.
Intervistoi: Muhamet KOCI e Lirim GECI