Zëvendëskryeministri i Kosovës, Sllobodan Petroviç, lidhur me takimet, që përfaqësues të qeverisë së Kosovës do të kenë të enjten në Prishtinë me shefin e grupit negociator serb, Borislav Stefanoviç…
Petroviç: Afërsia me praktikën dhe të përditshmen duhet të kenë peshë në bisedime
Slobodan Petrovic, zëvendëskryeministër i Kosovës
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Sllobodan Petroviç, lidhur me takimet, që përfaqësues të qeverisë së Kosovës do të kenë të enjten në Prishtinë me shefin e grupit negociator serb, Borislav Stefanoviç.
DW: Zoti Petroviç, ju jeni përfaqësues i zgjedhur nga komuniteti serb në Kosovë. A mendoni se në takimin me shefin e delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borislav Stefanoviç, në Prishtinë do të mund të reflektoni plotësisht qëndrimin e qeverisë së Kosovës, në të cilën bëni pjesë?
Petroviç: Në fillim dua të theksoj se flasim për një takim, për të cilin akoma nuk dihet në se do të zhvillohet, duke patur parasysh, se deri në këtë moment nuk kam marrë asnjë lajmërim zyrtar në lidhje me takimin tonë. Nga ana tjetër unë jam natyrisht zëvendëskryeministër i Kosovës dhe ministër i i administrimit të pushtetit lokal në Kosovë. Këtë post e mbaj pas marrjes së shumicës së votave të bashkësisë serbe në Kosovë në zgjedhjet e fundit parlamentare. Pra jam anëtar i qeverisë së Kosovës dhe përfaqësoj interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
DW: Çfarë roli mund të luajë prania juaj në takimin me palën negociatore nga Serbia në afrimin e qëndrimeve ndërmjet dy palëve?
Petroviç: Po natyrisht ne kemi dhënë ndihmesë kyçe në afrimin e qëndrimeve të të dyja palëve, sepse jemi njerëz të terrenit, jetojmë në Kosovë, në një realitet. Dhe ajo që është më kryesorja, është se kemi marrë mbështetjen e qytetarëve tanë në zgjedhjet e fundit parlamentare, me kredibilitet dhe legjitimitet të plotë. I njohim shumë mirë problemet e qytetarëve të Kosovës. Nga ky aspekt, aspekti i njeriut të thjeshtë dhe i jetës së përditshme, do të kishim dhënë zgjidhje për lehtësimin e funksionimit të jetës. Por shumë shpesh vendimet i marrin ato, që janë shumë pak të lidhur me problemet e njerëzve të thjeshtë në Kosovë. Mungesa e sensibilitetit, e njohjes të së përditshmes është një dukuri e shpeshtë dhe për këtë arsye mendoj se qasja praktike edhe në negociata e diskutime do të kishte rëndësi shumë të madhe. Prandaj definitivisht mendoj se nuk duhen keqpërdorur bisedimet për qëllime personale, për promovimin e dikujt. Mendoj se nuk kemi kohë për njerëz, që nuk e njohin situatën në Kosovë dhe na përcaktojnë fatin. Kjo është koha e integrimeve evropiane. Kjo kohë kërkon dije dhe shpejtësi. Kush gabon dhe sa, këtë do ta tregojë koha, që kemi përpara.
DW: Situata për popullsinë serbe vitet e fundit është përmirësuar, por le ende mjaft për të dëshiruar. Në cilat aspekte, ju mund të kërkonit më shumë, nga sa ofron Prishtina zyrtare për komunitetin serb në Kosovë?
Petroviç: Sikur të ishim të kënaqur me gjithçka, që kemi, do të ishte ideale. As në vendet me standarte të larta nuk është gjithçka ideale, pa le pastaj në Kosovë, ku jeta është e vështirë dhe ku ndodh një proces i dhimbshëm, proces tranzicioni. Përveç kësaj ai rëndohet nga problemet serioze politike dhe mospajtimet në qëndrime. Mund t’ju them se qeveria e Kosovës bën shumë përpjekje për pajtimin dhe krijimin e një klime më të mirë multietnike në Kosovë. Ajo është përmirësuar dhe për këtë dëshmojnë të gjitha raportet për lirinë e lëvizjes, lirinë e fjalës, etj. Nuk them se është shumë e mirë, por është më e mirë krahasuar me vitet e kaluara. Jemi dëshmitarë të kësaj.
Komuniteti serb duhet të zgjohet nga izolimi dhe të shfrytëzojë të gjitha shanset për progres dhe për t’u forcuar si në aspektin politik, ashtu edhe në atë material. Fakt është se askush nuk do të na ofrojë zgjidhje dhe kushte ideale, por me përpjekje të fuqishme, me vullnet e edukim mund të luftojmë për më shumë dhe më mirë. Stili i jetës ka ndryshuar sidomos në dy vitet e fundit. Sipas një raporti të PNUD-it gati 80% e serbëve të Kosovës pohojnë se do të dëshironin një televizion, që të ishte i karakterit lokal, që të mbulonte të gjithë territorin e Kosovës, me qëllim që të mund të ndjekin zhvillimet që ndodhin në Kosovë. Sepse janë të paqartë për imazhin e krijuar për veten nga transmetimet në mediet serbe dhe shqiptare. Kjo dëshmon se komuniteti serb nuk e do më izolimin.
Nëse nuk është i izoluar, dëshiron të jetë i informuar dhe informimi do t’u ofrojë serbëve mundësinë për të gjetur mënyra për progresin e tyre. Vendimtare nuk është vetëm se çfarë u ofron Prishtina serbëve në Kosovë, kjo është e rëndësishme, por nuk është kyçe. Rëndësi ka sa jemi të gatshëm të punojnë e të ndryshojmë për të arritur ato, që kemi si qëllim, mbijetesën, forcimin ekonomik dhe perspektivën e përbashkët. Perspektiva e përbashkët për të gjithë ne është anëtarësimi në një familje të madhe, që quhet BE dhe në këtë rrugë me siguri që do të kemi shumë punë dhe në këto përpjekje do të kemi mbështetjen jo vetëm të vendeve të rajonit, por edhe të miqve tanë si në Bruksel, ashtu edhe në Uashington.
Autor: Angjelina Verbica
Redaktoi: Lindita Arapi