Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors

Këshillimi i Përbashkët Kosovë – Shqipëri mbledh përfaqësuesit e të dy vendeve për të diskutuar temat aktuale të procesit të Integrimit Evropian

Tiranë, 13 Korrik 2018

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimit Evropian dhe Shoqërinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), janë duke zhvilluar punimet e Këshillimit të Përbashkët lidhur me procesin e Integrimit Evropian dhe detyrimet që burojnë nga ky proces, me theks të veçantë: Programi Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, të gjeturat nga Raporti i KE-së për Kosovën 2018, obligimet e komunave të Kosovës nga agjenda evropiane, vendosja e strukturave në nivelin lokal për procesin e Integrimit Evropian në Shqipëri, programet e BNK-së Shqipëri – Kosovë dhe Shqipëri Mali i Zi, fusha e mjedisit dhe turizmit, të arriturat dhe sfidat.

Në këtë Këshillim, përveç përfaqësuesve të institucioneve nga Kosova, kanë marrë pjesë përfaqësuesit e institucioneve të Shqipërisë, përkatësisht nga Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme, Ministria për Turizëm dhe Mjedis, si dhe Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore.

Sesioni është hapur nga znj. Rozafa Ukimeraj, Sekretare e Përgjithshme e MAPL-së e cila para të pranishmëve foli për të arriturat e komunave në procesin e Integrimit Evropian në Kosovë. Po ashtu, znj. Ukimeraj, theksoj se këto këshillime krijojnë kushte që të forcojmë raportet ndërshtetërore, të krijojmë forma të reja të bashkëpunimit, të ndajmë eksperiencat dhe të japim rekomandime se si mundemi të jetësojmë konceptin e menaxhimit të ri publik, në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe trasimit të rrugës sonë në kuadër të komunitetit evropian.

Znj. Ornela Çuçi, Zëvendësministre e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë vëri në fokus sfidat e shfaqura veçanërisht në fushën e mjedisit, ku Shqipëria ka bërë përpjekje të vazhdueshme të krijoj legjislacion të aplikueshëm për këtë fushë dhe të harmonizuar me legjislacionin e BE-së. Po ashtu, përfitimi i fondeve të BE-së është elementi kryesor që determinon dhe fuqizon mjedisin, me theks të veçantë menaxhimin e mbetjeve.

z. Bekim Murati, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore trajtoi reformën territoriale në Shqipëri, ku potencoi reformat e thella të cilat Qeveria Shqiptare ka arritur t’i bëjë gjatë këtyre viteve, kështu duke ulur numrin e bashkive në 61, si dhe duke krijuar nga një korner dhe një koordinator për çdo Bashki të cilët drejtëpërsëdrejti do të jenë të ngarkuar me detyra dhe përgjegjësi për sa i përket koordinimit të procesit të integrimit evropian ndërmjet nivelit lokal dhe qendror.

z. Genti Xhaxhiu nga Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme, foli për hapat dhe veprimet që janë ndërmarrë deri më tani, në kontekst të avancimit të agjendës evropiane, përfitimet nga fondet e BE-së, si dhe zbatimin e programeve të bashkëpunimit ndërkufitar ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, si dhe Shqipërisë dhe Kosovës.

Ky Këshillim përkrahet nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar GIZ/KLSC dhe do të vazhdoj punimet deri të dielën.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors