Konferenca: “Analiza e të hyrave vetanake në komunat e Republikës së Kosovës”

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) në bashkëpunim me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) Avancojmë Kosovën së Bashku (AKT), organizuan Konferencën me temën “Analiza e të hyrave vetanake në komunat e Republikës së Kosovës”. 15 janar 2016, Prishtinë

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) në bashkëpunim me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) Avancojmë Kosovën së Bashku (AKT), organizuan Konferencën me temën “Analiza e të hyrave vetanake në komunat e Republikës së Kosovës”.

Dokumenti lidhur me të hyrat vetanake në komuna, analizon trendet e të hyrave vetanake në komunat e Republikës së Kosovës për periudhën 2010-2014,  në një diskutim të përbashkët me përfaqësues të Komunave,  shoqërisë civile, medieve dhe përfaqësues të projekteve ndërkombëtare në Kosovë.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Ljubomir Maric, tha se është evidente që në shumicën e komunave të Kosovës, ka përmirësime në krahasim me vitet e kaluara, sa i përket të hyrave vetanake dhe se  fuqizimi i të hyrave vetanake, është thelbësor, për funksionimin e qeverisjes lokale.“Duke qenë se komunat pjesën më të madhe të nevojave të tyre buxhetore, i plotësojnë nga grandi i Qeverisë, ka indikacione që kjo gjë është duke ndikuar në mënyrë negative, në rritjen e nivelit të grumbullimit të të hyrave vetanake”, theksoi Ministri Maric.

Ndërsa Randall Olson, Drejtor i Departamentit për Demokraci dhe Qeverisje në USAID, tha se procesi i të hyrave vetanake ka progres, por gjithashtu është i shoqëruar edhe me mangësi dhe komunat duhet të ndryshojnë qasje lidhur me të hyrat, që do të duhet të investohen, në ofrimin e shërbimeve infrastrukturore për taksapaguesit. “Mendoj se kemi bërë një progres domethënës, mirëpo ende ka mangësi dhe ende duhet bërë shumë punë në këtë aspekt. Ne tani po punojmë me MAPL dhe MF për ti realizuar nismat tona”, theksoi z. Olson.

Ndërsa Besnik Osmani, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal tha se problemi më i madh me të hyrat vetanake të komunave  mbetet varësia shumë e madhe nga të hyrat doganore, derisa të hyrat vetanake nuk  gjenerohen nga zhvillimi ekonomik dhe jo nga deficiti i lartë tregtar që është aktualisht “ Rritja e të hyrave lokale në nivel komunal për më pak se gjysmë për qind brenda pesë viteve, me një rritje minimum prej 3 deri në 3.5 për qind të bruto produktit vendor në nivel të Kosovës duhet të përbëjë shqetësim”, tha Sekretari Besnik Osmani.

Besim Kamberaj, Departamenti për Bashkëpunim dhe Zhvillim Rajonal në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, tha se  raporti analizon  mundësitë dhe sfidat e reja si dhe nevojën e rritur për të përmirësuar shërbimet publike për qytetarin e edhe për të rritur investimet kapitale. Burime të reja të të hyrave dhe rrugë më efektive duhet të gjinden dhe të shfrytëzohen për to por edhe për ato ekzistueset në këtë drejtim.  Z. Kamberaj tha se pjesëmarrja e të hyrave vetanake të komunave në të hyrat e përgjithshme të buxhetit të Republikës së Kosovës në pesë vitet e fundit mund të thuhet se është mesatarisht rreth 4.02%. “Në vitin 2010 kjo pjesëmarrje është 4.21%, në vitin 2011 është 3.67%, pasataj në vitin 2012 është 3.99%, ndërsa viti 2013 është 3.98%, dhe viti 2014 ose viti i fundit i cili është trajtuar në këtë analizë është rritur në 4.23%”, tha z. Besim Kamberaj. Ndërsa pjesëmarrja e të hyrave vetanake në të hyrat e përgjithshme komunale për periudhën 2010-2014 është mesatarisht 16.53%,  vitin 2010 pjesëmarrja është 17.66%,  në vitin 2011 ka një rënje të pjesëmarrjes e cila është 14.72%, pasataj në vitin 2012 është 16.43%,  në vitin 2013 është 16.59%  dhe viti 2014 ose viti i fundit i cili është trajtuar në këtë analizë është rritur në 17.24%.

Lidhur me rëndësinë e të hyrave vetanake në komuna, foli edhe Zëvendësministri i Ministrisë dhë Financave, z. Agim Krasniqi dhe Kryetari i  Hanit të Elezit, z. Rufki Suma.