Besnik Osmani: Prioritet i institucioneve të Kosovës është avancimi i qeverisjes lokale nëpërmjet fuqizimit të rolit të qytetarit në vendimmarrje duke e ngritur cilësinë e shërbimeve komunale për qytetarët 26 nëntor 2015, Shkup, Maqedoni
Besnik Osmani: Prioritet i institucioneve të Kosovës është avancimi i qeverisjes lokale nëpërmjet fuqizimit të rolit të qytetarit në vendimmarrje duke e ngritur cilësinë e shërbimeve komunale për qytetarët.
Organizuar nga Ministria e Vetëqeverisjes lokale në Maqedoni, ka filluar punimet konferenca me temën “Sfidat dhe perspektivat e zhvillimit lokal dhe rajonal – Decentralizimi dhe UE qasja” dhe është fokusuar në diskutimet për zhvillimin dhe rolin rajonal të pushteteve nacionale dhe lokale nga perspektivat e UE, si dhe mundësitë për bashkëpunim dhe shfrytëzim të UE fondeve dhe procesin e decentralizimit dhe zhvillimin lokal në Republikën e Maqedonisë dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Përfaqësues i Qeverisë së Kosovës, z. Besnik Osmani, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, gjatë fjalimit të tij tha se Kosova ka rregulluar mirë funksionimin e pushtetit lokal i cili funksionon në relacionet mes nivelit qendror dhe lokal dhe nuk ka nivel të mesëm rajonal. Duke folur për karakteristikat dhe zhvillimet në qeverisjen lokale në Kosovë, Sekretari Osmani tha se qeverisja lokale në Kosovë, për dhjetë vjetët e ardhshme do të forcohet dhe zhvillohet me Strategjinë për Vetëqeverisje Lokale që pritet të miratohet së shpejti dhe rregullon: qëndrueshmërinë ekonomike, qeverisjen e mirë dhe përfaqësimin demokratik, forcimin e kapaciteteve profesionaleve, forcimin e partneriteteve, promovimin e vlerave te trashëgimisë dhe diversitetin kulturor.
“Prioritet i institucioneve të Kosovës është avancimi i qeverisjes lokale nëpërmjet fuqizimit të rolit të qytetarit në vendimmarrje duke ngritur cilësinë e shërbimeve komunale për qytetarët” tha Sekretari i Përgjithshëm i MAPL-së, z. Besnik Osmani.
Përveç përfaqësuesve të Maqedonisë, z. Zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, përgjegjës për çështje ekonomike dhe për koordinim të departamenteve për ekonomi, z. Vladimir Peshevski dhe Zëvendëskryeministrit përgjegjës për implementimin e Marrëveshjes kornizë të Ohrit, z.Musa Xhaferri, në konferencë folën edhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në Maqedoni si: Përfaqësuesja rezidenciale e UNDP -së në Republikën e Maqedonisë, znj. Louisa Vinton, Ambasadorja e Zvicrës në Republikën e Maqedonisë, znj. Brigitte Hagmann dhe Sekretarja shtetërore në Ministrinë për vetëqeverisje lokale, politikat zhvillimore rajonale, znj Biljana Cvetanovska Gugoska.
Gjithashtu në konferencë po marrin pjesë edhe përfaqësues të pushteteve nacionale, rajonale dhe lokale nga vendet e rajonit, agjencive rajonale, si dhe përfaqësues të opinionit akademik dhe të ekspertëve, nëpunës menaxhues administrativ në institucionet kompetente në nivel qendror dhe lokal.
Organizmi i kësaj konference synon të ofrojë platformë për dialog dhe këmbim të përvojave për politikën e zhvillimit lokal dhe rajonal në Republikën e Maqedonisë dhe në Ballkanin Perëndimor dhe t’ju mundësojë pjesëmarrësve që të njoftohen me përvojat e vendeve të tjera, vendeve-anëtare, vendet që para disa kohësh i janë bashkëngjitur UE-së dhe të tjerave dhe kanë përvojë të gjatë në realizimin e politikës evropian për zhvillim lokal dhe rajonal, përmes prizmit të procesit aderues.