Petrovic: “Decentralizimi i vërtetë është aty ku përfitimet shihen dhe ndjehen drejtpërdrejt nga qytetarët. Ofrimi i shërbimeve, në vende të caktuara, ka pasur progres por akoma mbetet shumë për tu bërë”.
31 Maj 2012, Prishtinë
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me Programin Iniciativa për Komuna Demokratike dhe Efektive/DEMI, organizuan Konferencën: “Sukseset dhe sfidat e komunave të reja të Kosovës”.
Këtë Konferencë e hapën: Zëvendëskryeministri dhe njëherit Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, Ambasadori I SHBA-vë në Kosovë, Christopher Dell dhe Përfaqësuesi i Zyrës Civile Ndërkombëtare/ICO, Pieter Feith.
Me këtë rast, Zëvendëskryeministri Petrovic theksoi se suksesi i decentralizimit do të varet në rend të parë nga dy faktorë kryesorë: përkrahja e qeverisë qendrore dhe reagimi i duhur i qeverive lokale dhe qytetarëve.
“Decentralizimi i vërtetë është aty ku përfitimet shihen dhe ndjehen drejtpërdrejt nga qytetarët. Ofrimi i shërbimeve, në vende të caktuara, ka pasur progres por akoma mbetet shumë për tu bërë” theksoi Zëvendëskryeministri Petrovic.
Duke folur për procesin e decentralizimit, Ambasadori amerikan Christopher Dell, porositi kryetarët e Komunave të reja që të punojnë dhe të jenë sa më të afërt me qytetarët, në mënyra që të ruajnë integritetin dhe të përmirësojnë performancën e tyre.
“Qeveria e SHBA do të mbetet partner i qëndrueshëm në shtyrjen e procesit të decentralizmit përpara në mënyrë që të ofrojë qeverisjen vendore sa më afër qytetarëve – u shpreh Ambasadori Dell”.
Ndërkaq, Përfaqësuesi i Zyrës Civile Ndërkombëtarë/ICO, z. Pieter Feith, theksoi se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka udhëhequr dhe mbështetur në mënyrë të suksesshme procesin e decentralizimit, një proces ky shumë me rëndësi në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Procesi i decentralizimit nuk është proces i lehtë dhe i as i përkryer, por Demokracia është më efektive kur pushteti i përcillet sa më pranë qytetarit ”.
Konferenca “Sukseset dhe sfidat e komunave të reja të Kosovës” kishte për qëllim promovimin e sukseseve të Komunave të reja të Kosovës si praktikat më të mira për Kosovën Veriore dhe për të arritur një konsensus për hapat e ardhshëm që nevojiten për të realizuar plotësisht kompetencat komunale.